Gjykata e Apelit ka vendosur rihapjen pjesërisht të procesit gjyqësor ndaj ish-efektivit te RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në 21 prill 2021.
Në seancën e sotme, gjykata ka vendosur kryerjen e një ekspertimi kriminalistik nga ekspertë të fushës, duke pranuar kështu kërkesën e të pandehurit Arbër Paplekaj. Seanca e radhës do të zhvillohet në 18 mars ora 13:30.
“Apeli i juridiksionit të përgjithshem ka vendosur : Të përsërisë pjesërisht shqyrtimin gjyqësor me qëllim marrjen e provave si më poshtë:
-Kryerjen e një ekspertimi kriminalistik nga ekspertë të fushës, duke pranuar kështu kërkesën e të pandehurit A.P.
-Të marrë informacion në lidhje me dy shtetasit, të cilët akuzohen për “Dëshmi të rreme”, kryer në gjykimin e zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
-Të merret informacion mbi vijimin e procedimit penal të pezulluar për personat, që kanë qëlluar me armë zjarri në vendngjarje”, thuhet në vendimin e gjykatës.