Vrasja e Nikulajt/Arrestohet në Londër Haxhiaj dhe dy anglezët

Nga Aida Topalli 

Janë vënë në pranga 3 të përfshirë në vrasjen e Ardjan Nikulajt më datë 19 prill 2023, në Shëngjin. Bëhet fjalë për të dyshuarin si porositës, Edmond Haxhija dhe çifti që ishte strehuar dhe ruajti lëvizjet e viktimës, Thomas Mithan dhe Steven Hunt. Të tre janë arrestuar në Londër. Burimet thonë se 3 personat e përfshirë në vrasjen e Nikulajt janë vënë në pranga në kuadër të operacionit të zhvilluar nga National Crime Agency, në bashkëpunim me policinë shqiptare.
Burime bëjne me dije se policia britanike ka rënë në gjurmët e 3 të shpallurve në kërkim nga telefonat celuar, pasi ishin njoftuar edhe nëpërmejt letërprosive të dërguara pak ditë më parë nga Policia e shtetit shqiptar. Të njëjtat burime bëjne me dije se 3 të arrestuarit kanë qenë në zona të afërta me njëri tjetrin, teksa dyshohet se dhe 1 nga 3 të shpallurit në kërkim ndodhet në Londër. Sa I përket edhe ekzekutorit, Ruben Saraiva shtetasi portugez burime thonë se nuk ndodhet në britanik, ka dyshime të forta se pas ngjarjes ai është larguar si këmbësor drejt shtetit grek. Tashmë pritet dhe nisja e procedurave për ekstradimin e të arrestuarve, Edmond Haxhia, Thomas Mithan dhe Steven Hunt nga shteti britanik drejt shtetit shqiptar ku do të përballen edhe me akuzat.

Reagim i MB, Bledi Çuçi

Përgëzime Policisë së Shtetit dhe partnerëve tanë britanikë për lajmin e konfirmuar për arrestimin e 3 personave të përfshirë në ngjarjen e rëndë në Shëngjin disa ditë më parë. Reagimi i shpejtë i palës britanike është tregues i bashkëpunimit në nivelet më të larta me Policinë e Shtetit dhe një punë e shkëlqyer hetimore e operacionale. Vijon puna intensive edhe për arrestimin e personave të tjerë në atë ekzekutim kriminal dhe vënien e tyre para drejtësisë.

Policia e Shtetit

Falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë shqiptare dhe asaj britanike, pas shkëmbimit të informacionit, lokalizohen dhe kapen në Londër, 3 prej autorëve të dyshuar të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore dhe kërkimore, për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim për vrasjen e 51-vjeçarit Ardian Nikulaj, falë shkëmbimit të informacionit në kohë, Policia britanike mundi të lokalizojë në Londër, të kapë dhe të vërë në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, 3 prej shtetasve të shpallur në kërkim, konkretisht shtetasit E. H., Th. M. dhe S. H.

Ndërkohë, Policia e Shtetit vijon intensivisht punën, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët për lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në lidhje me ngjarjen.

Por çfarë ndodhi më 19 prill në local Coral në Shëngjin

Ishte ora 13:20 e drekës kur Ardjan Nikulaj po konsumonte kafenë në lokalin në pronësi të tij. Në pak minuta, një person i veshur me jelek fosforeshent dhe me skafandër në kokë, hyn, përshëndet të pranishmit dhe qëllon me armë tip TT 7 herë në drejtim të Nikulajt. Dy nga plumbat e prekën duke i marrë jetën. Autori i vrasjes, erdhi dhe u largua me një motor me targa fallco. Nga hetimet e mëvonshme, rezultoi se autor i kësaj ngjarjeje ishte shtetasi portugez Ruben Saraiva. Ndërsa porositës ishte Edmond Haxhia, nip i Lekstakajve. Bashkëpunëtorë në këtë krim, sipas hetimeve, rezultuan edhe 4 shtetas anglezë, Harry Simson, Harriet Brigeman, Thomas Mithan dhe Steven Hunt. Motiv ishte gjakmarrja.

Katër shtetasit britanikë kanë pasur rolin e vëzhguesve , duke ndihmuar atentatorin që të mësonte lëvizjet e Nikulajt dhe më pas të lajmëronin ekzekutorin për moëmntin që mund të kryente krimin.

Në pamjet filmike, duket se si ata kanë qëndruar ditë me radhë në hotel Coral, duke u miqësuar edhe me familjen Nikulaj. Por një gjë e tillë, pra mirësjellja, nuk i ka stepur që ta çonin deri në fund misionin e tyre. Po nga pamjet filmike, dalin edhe makina me të cilën Edmond Haxhija dhe një nga shtetasit anglezë ruanin viktimën tek banesa e tij, dhe njerëzit e tij të afërt.

Vrasja e Ardjan Nikulajt tronditi jo pak Lezhën dhe Shqipërinë. Kjo pasi bëhej fjalë për një njeri me shumë reputacion. Por nga ana tjetër, edhe njerëzit që u përzgjodhën për të bërë atentatin, ishin shtetas të huaj. Ata arritën të hynin dhe të qëndronin në Shqipëri pa u pikasur, dhe të dalin prej saj pa asnjë problem.

Dy atentatet e dështuara ndaj Nikulajt

Ky nuk është atentati i parë në drejtim të Nikulajt. Replika zbardhi një ditë pas vrasjes edhe sagën e mëhershme, ngjarje këto të regjistruara edhe në organet policore. Ardjan Nikulaj duket se e priste një atentat të mundshëm. Një burim koefidencial tregoi se Nikulajt i janë bërë disa herë tentativa për ta hequr qafe.

Dy nga të cilat viteve në fundit. Në vitin 2019, Shëngjini do të alarmohej nga zërat se në zonë kishte mbërritur një vrasës me pagesë. Siç thotë burimi, ai ishte paguar për të ekzekutuar viktimën e ditës së djeshme. Alarmi i ngritur bëri që të mos e kryente aktin dhe të tërhiqej. Së fundmi, thotë një tjetër burim koefidencial, persona që për arsye etike nuk do tjua përmendim emrat, të kenë paguar një grup që operon në një qytet jugor, që të organizonin vrasjen e Nikulajt. Ky grup, pasi merr përsipër organizimin, tenton të rekrutojë një vrasës me pagesë në zemër të Shqipërisë.

Tentativë e cila sërish do të dilte “huq”. Fati edhe këtë herë ishte në anën e Nikulajt. Atentati dekonspirohet dhe nga ai moment, Ardjan Nikulaj shtoi sigurinë. Ai lëvizte me mjet të blinduar. Megjithatë, kjo situatë nuk zgjati shumë. Nuk dihet ende nëse dora që e vrau është ajo e porositësve të dy tentativave të mëhershme, apo ka dritëhije të tjera.