Vrasja e Marsel Çeços, Apeli kthen dosjen për rigjykim

Gjykata e Apelit e Përgjithshëm ka vendosur të prishë vendimin e dhënë nga Gjykata e Korçës në lidhje me çështjen e vrasjes së të riut Marsel Çeço, ngjarje e ndodhur më 12 qershor 2022 në fshatin Kolavec të Maliqit. Vendimi i Apelit parashikon kthimin e dosjes për rigjykim.

Trupa gjykuese e përbërë nga kryesuesja Marsela Pepi dhe anëtarët Genti Dokollari dhe Irena Brahimi, pasi shqyrtoi ankimimin, konstatoi shkelje në procesin gjyqësor të mëparshëm dhe vendosi rikthimin e çështjes për shqyrtim të ri në Gjykatën e Shkallës së Parë.

Në vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Korçës, ishin dënuar me gjithsej 83 vite burg katër të pandehur: kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollaj, të dyshuar si autorë të vrasjes, si dhe Bledi Angjo e Martina Pajollari, të akuzuar për ndihmë në krim duke nxjerrë viktimën në pritë.

Sipas hetimeve, ngjarja e rëndë ndodhi më 12 qershor 2022, kur Marsel Çeço u gjet i mbytur me litar dhe i hedhur në një rezervuar, dy ditë pasi familja e tij kishte raportuar zhdukjen. Dyshimet kryesore janë se vrasja ishte e planifikuar dhe se viktima ishte tërhequr në një zonë të izoluar, ku më pas është eliminuar.

Rikthimi i çështjes për rigjykim hap rrugën për një shqyrtim më të detajuar të provave dhe rrethanave të ngjarjes, ndërsa familja e viktimës dhe opinioni publik shpresojnë në zbardhjen e plotë të të vërtetës dhe dhënien e drejtësisë.