Vrasja e Klajdi Bitrit në Itali/ Dalin detaje, shtiza i dëmtoi zemrën dhe mushkëritë i shkaktoi vdekjen e menjëhershme
Klajdi Bitri 23-vjeçari shqiptar humbi jetën tragjikisht pasi tentoi të ndalonte një sherr ku ishte i përfshirë shoku i tij. 23-vjeçari u godit me një shtizë peshkimi nga një shtetas algjerian me të cilin po konfliktohej shoku i tij. Dëmtimi në zemër dhe mushkëri i mori jetën të riut shqiptar, Klajdi Bitri, i cili u godit me një shtizë peshkimi pasditen e së dielës nga një algjerian teksa po përpiqej të mbronte shokun e tij italian.
Sipas autopsisë plaga në zemër dhe thellësia e goditjes përputhet me shtizën që u gjet nga karabinierët, kur arrestuan algjerianin Melloul Fatah.
Komuniteti italian ka shprehur ngushëllimet për humbjen e të riut. Lot e dhimbje shihej tek njerëzit që ishin të pranishëm në morg teksa prisnin të merrnin trupin.
Të dashurit më të afërt, shokët e skuadrës së Nuova Aquila ku Klajdi luante dhe Xhulio stërvitej, përfaqësuesit e komunitetit shqiptar të Ankonës, por edhe përfaqësues nga ambasada shqiptare janë ndodhur aty për t’u gjendur pranë dhe për të ndihmuar.
Mes personave të pranishëm është edhe nënkryetari i Bashkisë, Giovanni Zinni, i cili premton se do ta realizojnë dëshirën e shprehur nga të afërmit për marshim nderimi për një djalë shqiptar me zemër kaq të madhe.
“Një djalë i artë, vetëmohues, që u nda nga jeta për të shpëtuar një mikun e tij italian”, shprehen të pranishmit.