Vrasja e dyfishtë në Dukagjin/ Policia sërish në vendngjarje

Policia e Shkodrës është rikthyer sërish sot më mëngjes në vendin e ngjarjes në fshatit Sumë të zonës së Pultit për të mbledhur prova të reja lidhur me vrasjen e babë e bir Gjokë e Eduart Gurra. Nga ekspertiza paraprake ka rezultuar se nga gëzhojat e sekuestruara në vendin e ngjarjes është qëlluar nga një armë e vetme e tipit kallashnikov. Në vendngjarje janë sekuestruar 8 gëzhoja.

Autori besohet të ketë vepruar i vetëm, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë ndihmuar edhe nga persona të tjerë për t’u larguar. Veç pistës që babë e bir kishin aktivitet të tregtimit të lëndës drusore, policia ka ngritur edhe atë të konflikteve për mbjelljen e kanabis sativa, duke qenë se 57-vjeçari në 2008-ën ka qenë punonjës policie dhe së fundmi kryeplak i fshatit Bruçaj. Po verifikohet, nëse ka denoncuar ndonjë rast të kultivimit të drogës dhe kjo mund të jetë bërë shkak për vrasjen.

Gjokë Gurra, 57 vjeçari që mbeti i vrarë pasditen e djeshme bashkë me të birin në Dukagjin ka punuar si efektiv i policisë së Shkodrës deri në vitin 2008 kur edhe është larguar nga policia. Ai ka punuar kryesisht me lëndë drusore për ngrohje dhe transportimin e tyre në Shkodër së bashku me të birin Eduartin, punë të cilën kanë që 15 vite që e bëjnë. Babë e bir kishin shkuar në fshatin Sumë për të parë shtëpinë që iu kishin djegur një natë më parë, kur janë zënë pritë nga autorët e paidentifikuar. Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje të rëndë. Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor janë nisur menjëherë për në vendngjarje dhe priten më shumë detaje.