“Vëllai ju vra më 29 mars”/ Në Kavajë u hap një sipar i ri hakmarrjeje… Për ç’motiv?

Një tjetër ngjarje e rëndë tronditi Kavajën pak minuta më parë. Viktimë e një atentati mbeti Arjan Gosa, vëllai i Edmond Gosës, vrarë në mars të këtij viti, pas një sherri me Altin Rexhën.

Duket se ngjarja e asaj kohe nuk paska qenë aq rastësore. Megjithëse jemi ende në të dhëna paraprake, duket se familja Gosa paska një konflikt më të gjerë, që po merr jetë të njëpasnjëshme.

Ngjarja e asaj kohe u mbyll aty për aty, pasi të dy të përfshirët në konflikt, Rexha e Gosa, vranë njëri-tjetrin.
Policia dhe Prokuroria nuk dha kurrë asnjë pistë tjetër mbi ngjarjen, por ja la konfliktit të çastit.
Ngjarja e sotme tregoi qartazi, se vëllezërit Gosa kanë hapur një kalvar, pikënisja e të cilit nuk dihet.

Njoftimi i sotëm i policisë:

Kavajë/Informacion paraprak

Më datë 21.05.2023, rreth orës 18.30, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, në një lokal, një person ende i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin A. G.

Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për sekuestrimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.

Paraprakisht nga të dhënat e grumbulluara dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje.

 

Njoftimi i datës 29 mars

Kavajë/Informacion paraprak

Më datë 29.03.2023, në Kavajë, tek kryqëzimi i valutës, ka ndodhur një konflikt midis dy shtetasve, ku shtetasi Edmond Gosa 43 vjeç, ka plagosur me thikë shtetasin Altin Rexha, 43 vjeç, ndërsa ky i fundit ka plagosur me armë zjarri shtetasin Edmond Gosa.

Si pasojë e plagëve të marra të dy shtetasit e përfshirë në konflikt, kanë ndërruar jetë në spital.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Në përfundim të veprimeve paraprake në vendngjarje, do të kemi një informacion vijues.