U kap duke blerë vota në Himarë, SPAK mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim dosjen e Fredi Belerit

SPAK këtë të martë ka mbyllur hetimet dhe ka çuar për gjykim dosjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës në zgjedhjet e 14 majit Fredi Beleri.

Beleri është vënë në pranga vetëm dy ditë para zgjedhjeve vendore pasi u kap duke bërë blerje votash. Ai prej disa muajsh ndodhet pas hekurave pasi mbi të rëndojnë akuza për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Gjithashtu i akuzuar në lidhje me këtë është edhe Pandeli Kokaveshi.

“Nga analiza një nga një dhe në unitet e provave të administruara gjatë hetimit, sikurse janë të dhënat e përftuara nga përgjimet audio/video, nga kqyrjet e telefonave, nga kqyrjet e akteve të ekspertimit kompjuterik, nga deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale etj, rezulton se është e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri Dhionisios Alfred Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023, ndërsa vetë shtetasit Arsen Rama i ka premtuar si shpërblim për shërbimin që do të kryente shumën 300 euro.

I pandehuri Dhionisios Alfred Beleri ia ka dhënë shumat monetare Arsenit nëpërmjet të pandehurit tjetër Pandeli Kokaveshi, i cili ka qenë bashkëpunëtori i tij në kryerjen e këtij akti korruptiv dhe ky i fundit i ka dhënë shtetasit Arsen Rama tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të shtetasit Dhionisios Alfred Beleri.

Në rastin konkret të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme në dy forma të saj, si nëpërmjet premtimit dhe ofrimit të shumave monetare shtetasit Arsen Rama në mënyrë që ky i fundit të ndikonte tek vullneti i qytetarëve të tjerë për të siguruarvota në favor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023.”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Ndërkohë në lidhje me arrestimin e tij ka pasur edhe reagime të shumta nga pala greke, të cilët kanë kërkuar që në fillim lirimin e tij.