U arrestua me kërkesë të Gjykatës Speciale të Kosovës, Dritan Goxhaj njihet me masën e sigurisë: Nuk kam shkelur asnjë ligj!
Dritan Goxhaj, i cili u arrestua dy ditë më parë në Tiranë me urdhër të Gjykatës Speciale, është njohur këtë të mërkurë nga Gjykata e Tiranës më masën e sigurisë dhe me akuzat që rëndojnë ndaj tij.
Ndaj Dritan Goxhajt, Gjykata Speciale e Kosovës ka lëshuar një urdhër-arrest, pasi akuzohet se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve në disa çështje të hapura më parë nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Përmes një letër porosie, autoritetet kosovare informuan palën shqiptare se ndaj tij ka nisur një procedim penal, për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës. Sipas Gjykatës Speciale Goxhaj do të mbahet i paraburgosur në Shqipëri në pritje të vendimit të autoriteteve shqiptare lidhur me transferimin e Goxhaj në Hagë.
Avokati i Dritan Goxhajt tha për News24 se klienti i tij do të apelojë masën e sigurisë.
Teksa u njoh me masën e sigurisë arrest me burg për 40 ditë, në sallën e gjyqit Dritan Goxhaj deklaroi se nuk ka shkelur asnjë ligj dhe nuk ka bërë asnjë krim. Goxhaj kërkoi që t’i rikthehet dinjiteti si shqiptar.
Dritan Goxhaj është djali i ish-zv.shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur Dilaver Goxhaj. Kolonel Goxhaj iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë, ku si një ushtarak me eksperiencë ndihmoi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës së Kosovës, edhe i biri Dritan Goxhaj iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e Aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri.