Tragjedia me 4 shqiptarë të vdekur në Gjermani/ I afërmi i një prej viktimave: Na dhanë kontratat e punës, dyshoj se …

Papunësia dhe kushtet e vështira ekonomike, kishin detyruar 4 shqiptarët që mbetën të vdekur në një kantier ndërtimi në Gjermani, që të emigronin. Dyshohet se shkak i aksidentit të rëndë të jetë bërë vendosja jo në mënyrën e duhur të skelave, në një hapësirë boshe ku mendohej të vendosej ashensori, dhe rëndesa e madhe mbi to.

Papunësia dhe kushtet e vështira ekonomike, kishin detyruar 4 shqiptarët që mbetën të vdekur në një kantier ndërtimi në Gjermani, që të emigronin.

Dy prej viktimave, kishin vetëm pak ditë që kishin nisur punën në atë kantier, që ishte në pronësi të një kosovari dhe nënkontraktor kishte një polak, tregon në një lidhje telefonike me gazetaren e Report Tv i afërmi i një prej viktimave.

Aksidenti i rëndë në punë, ku humbën jetën 4 shqiptarë dhe një punëtor tjetër mbeti i plagosur rëndë, u shënua të hënën e 30 tetorit 2023 në një kantier ndërtimi në Hafencity të Hamburgut në Gjermani.

Policia në fillim kishte deklaruar se viktimat ishin bullgarë, por më pas korrigjoi informacionin duke thënë se katër nga pesë viktimat e aksidentit ishin shqiptarë.Dy nga viktimat janë Albert Zorba 31 vjeç nga Elbasani, Astrit Xheka 35 vjeç nga Dibra ndërsa Alfred Visha nga Mati, 33-vjeç, është në gjëndje të rëndë në spitalin gjerman.

Në vendin e ngjarjes, viktimave ju janë gjetur edhe dokumente false bullgare, me anë të së cilave ju është lejuar të punojnë atje.

Ai tregon se nga kompania që po bënte ndërtimet, ju janë vendosur në dispozicion edhe kontratat pa afat të punës së viktimave, por që “dyshojnë se janë realizuar pas aksidentit së rëndë.”

Trupat e viktimave, nuk do të sillen në Shqipëri, deri në përfundim të autopsisë, e cila zgjat nga 8 deri në 10 ditë.

Viktimat nuk njiheshin me njëri-tjetrin që në Shqipëri, por ishte shteti gjerman që i kishte bërë bashkë, në tentativë për të siguruar një jetë më të mirë, por që fatkeqësisht nuk ndodhi kështu.

Ende nuk ka të arrestuar si përgjegjës. Dyshohet se shkak i aksidentit të rëndë të jetë bërë vendosja jo në mënyrën e duhur të skelave, në një hapësirë boshe ku mendohej të vendosej ashensori, dhe rëndesa e madhe mbi to.

I bëjnë apel shtetit për t’i ndihmuar për të sjellë trupat e pajetë në Shqipëri.