Trafikuan ikona e piktura me vlerë 1.5 mln euro, gjykata lë në burg 2 të arrestuarit në Fier

Gjykata e Fierit, në seancën e mëngjesit të sotëm ka caktuar ‘arrest me burg’ për shtetasit Shpëtim Kalemi dhe Pandeli Petani të cilët u ndaluan në kuadër të operacionit policor të koduar ‘Vlera’ ku u gjetën e sekuestruan piktura dhe ikona me vlerën e 1.5 milionë eurove të trafikuara nga Greqia.

Në seancën e zhvilluar, i pandehuri Kalemi ka paraqitur kuponat e blerjes dhe zhdoganimit, duke mohuar akuzat ndaj tij për trafik të veprave arkeologjike me vlerë.

Në perfundim të seancës avokati i të arrestuarve, Ermal Hamataj ka deklaruar se e gjithë kjo është një “show” i nisur nga drejtoria e policisë së Fierit duke dënuar persona të paarsimuar në kushte ekstreme varfërie.

Sipas tij, të arrestuarit të cilët janë pjesëtarë të komunitetit rom, nuk e dinë as vlerën e ikonave dhe aq më pak të merren me trafikimin e tyre.