Torturë për shqiptarët në Beograd! Mbyllen për disa orë në autobus pa kondicionerë

Një ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë është shënuar mbrëmjen e djeshme në aeroportin e Beogradit, ku dhjetëra shtetas shqiptarë janë përballur me trajtim çnjerëzor nga autoritetet serbe. Ata u mbajtën për orë të tëra të mbyllur në një autobus pa kondicioner dhe pa drita, përpara se të hipnin në avionin e linjës “Air Serbia”.

Skandali është denoncuar nga pasagjerët, pasi autobusi që do të transportonte pasagjerët drejt avionit u bllokua në pistë dhe policia serbe formoi një kordon përreth, pa dhënë asnjë shpjegim.

Në videot e publikuara në rrjet, dëgjohen fëmijë që qajnë dhe udhëtarë që kërkojnë llogari për vonesën dhe kushtet e rënda. “Kjo nuk është normale. A jeni në rregull? Ka fëmijë këtu,” dëgjohet të thotë një grua, ndërsa tensioni rritet.

Por tortura nuk përfundoi aty. Pasi u lejuan të hipnin në avion, shqiptarët raportojnë se përjetuan të njëjtën situatë: bllokim, mungesë ajri dhe asnjë informacion për arsyen e ndalimit.

Ngjarja ka shkaktuar zemërim dhe kërkohet reagim i menjëhershëm nga autoritetet shqiptare dhe institucionet ndërkombëtare. Sjellje të tilla, të cilat ngjallin kujtime të dhimbshme dhe përçarje etnike, nuk mund të tolerohen në një hapësirë që synon integrimin dhe bashkëpunimin rajonal.