Tiranë/ Shitën një automjet tip “BMW”, të vjedhur në Angli, në pranga blerësi 36-vjeçar dhe dy të tjerë në hetim
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Servisi”.
Kapet dhe vihet në pranga një 36-vjeçar që bleu një automjet të trafikuar në Shqipëri, me qëllim për ta shitur për pjesë këmbimi.
Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve që i shitën 36-vjeçarit, kundrejt shumës 9000 euro, automjetin tip “BMW”, i cili dyshohet se është vjedhur në Britaninë e Madhe.
Sekuestrohet automjeti.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, për disa shtetas që trafikonin në vendin tonë, automjete të vjedhura, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Servisi”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua shtetasi F. M., 36 vjeç, banues në Tiranë, dhe u shpallën në kërkim shtetasit T. L., 39 vjeç, banues në Kuçovë, dhe C. F., 41 vjeç, banues në Rumani.
Nga veprimet hetimore dyshohet se dy shtetasit e shpallur në kërkim kanë trafikuar në Shqipëri një automjet tip “BMW”, të dyshuar të vjedhur në Britaninë e Madhe. Automjetin e ka blerë 9000 euro, shtetasi F. M., me qëllim për ta shitur për pjesë këmbimi.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti tip “BMW”.
Vijon puna për dokumentimin e rasteve të tjera të trafikimit të mjeteve, që mund të jetë kryer nga këta shtetas, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.