Tiranë/ Marrin peng një person, arrestohet njëri nga vëllezërit

Dy vëllezër akuzohen se kanë marrë peng dhe dhunuar një 47- vjeçar në kryeqytet.

Njoftohet se Alban Bejo dhe Fatmir Bejo në Kombinat, në rrugën “Besim Alla”, për shkak të një borxhi, kanë marrë me forcë shtetasin Gjergji Fela.

Sipas policisë është vënë në pranga 35 vjeçari A.B. dhe është shpallur në kërkim vëllai i tij 28 vjeç F.B. Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur në Kombinat, ky një 35 vjeçar bashkë me vëllain e tij kanë marrë peng nga vendparkimi i një lokali shtetasin Gj.F., me qëllim për tu dhënë një shumë parash.

“I hoqën lirinë një shtetasi, e kanosën dhe e dhunuan atë, për t’u dhënë një shumë parash, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë, vihet në pranga 35-vjeçari dhe shpallet në kërkim vëllai i tij.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas njoftimit se një shtetas ishte marrë me forcë nga 2 shtetas të tjerë, nga vendparkimi i një lokali në Kombinat, kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e plotë të këtij rasti.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe profesional të shërbimeve të Policisë, u identifikuan 2 autorët e dyshuar, u kap dhe u vu në pranga njëri prej tyre, shtetasi A. B., 35 vjeç, si dhe u shpall në kërkim bashkautori i dyshuar, vëllai i 35-vjeçarit, shtetasi F. B., 28 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mbrëmjen e djeshme, kanë marrë me forcë, me automjet, nga vendparkimi i një lokali, shtetasin Gj. F., 47 vjeç, e kanë kanosur dhe e kanë dhunuar atë, me pretendimin se 47-vjeçari u kishte borxh një shumë parash.

Vijon puna për kapjen e shtetasit F. B.”, thuhet në njoftimin e policisë.