“Thuaji jo drogës”/ Hasanllari: Bashkëpunimi ndërinstitucional, hapi kyç në këtë luftë të përbashkët

Ulja e moshës së të miturve që provojnë drogën për herë të parë, e më pas kthehen në përdorues periodikë, nuk ka ngritur alarmin vetëm në Ministrinë e Brendshme apo Policinë e Shtetit. Duke qenë përballë një realiteti drastik, nevoja për të parandaluar e ndërhyrë është urgjente. Por për të arritur rezultate, duhen bërë bashkë instancat, shoqëria dhe organizatat. Në vijim të marrëveshjes së Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve në Ministrinë e Drejtësisë, me International Police Organization, në mbështetje edhe të organizatës italiane “Dico no alla droga”, u zhvillua takimi dy ditor në hotel Mondial me fokus “ Parandalimi për përdorimin e të drogërave nga të rinjtë”.

Për herë të parë ky takim bëri bashkë ekspertë, mjekë, policinë, minsitrinë e brendshme, atë të drejtësisë, atë të arsimit, bashkitë, psikologët dhe median. E thënë më thjeshtë, të gjithë hallkën që duhet të bëhet bashkë për të luftuar e për të parandaluar një fenomen që është shkatërrues i së ardhmes.
Në kuadër të këtij aktiviteti dhe vijueshmërisë, drejtoresha e QPKMR, Klaudia Hasanllari u shpreh se kjo është një luftë e përbashkët, prandaj bashkëpunimi i zinxhirit ndërinstucional është hapi kyç për t’i mbajtur larg të rinjtë nga droga, në fillim si përdorues e më pas si pjesë e trafikut të narkotikëve.