Prokuroria e Kurbinit i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë me dy kërkesa për Jeton Lamin, ish-efektivin e operacionales të arrestuar për shpërdorim detyre, pasi shoqëronte të shumëkërkuarin Ervis Martinaj. Njëra prej kërkesave është ajo e lejimit për ta marrë në pyetje të ndaluarin, në lidhje me hetimet që organi i akuzës po bën pas kallëzimit të familjarëve të Ervis Martinajt se kanë humbur kontaktet me të. Ndërkohë që Lami ishte personi i fundit referuar të dhënave që kanë autoritetet hetimore, që është parë në shoqërinë e Martinajt.
Jeton Lami, vijon të mbahet në qeli ndërsa gjatë kësaj kohe prokurorët e kanë vizituar tri herë me shpresën se ai do pranojë të flasë rreth asaj që di për Ervis Martinajn. Lami ka dhënë arsye kontradiktore para prokurorëve, duke shtyrë dëshminë e tij. Edhe në momentin kur Lami doli para gjykatës së Laçit për tu njohur me masën e sigurisë, ai nuk pranoi të flasë, megjithëse nga ana e gjykatës, ju dha mundësia për të komentuar akuzat.
Kërkesa e dytë në rekursin e Prokurorisë së Kurbinit është ajo e lënies në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë dhe të Apelit, në caktimin e masës shtrënguese ‘arrest me burg’ për Lamin. Ky i fundit ra në pranga më 24 gusht të vitit që shkoi me kërkesë të Prokurorisë së Laçit.
Më 5 dhe 7 gusht, Lami ka transportuar ndërmjet Durrësit dhe Tiranës biznesmenin Ervis Martinaj. Lami u kap nga kamerat e sigurisë së një hoteli në Durrës, ku ka qenë i shoqëruar me Ervis Martinajn. Për herë të parë hetuesit kanë mundur të zbulojnë se më 5 Gusht 2022 Lami e merr Martinajn në zonën e veriut në një automjet luksoz ‘Audi “A8” dhe e transporton atë drejt Durrësit në një hotel në praninë edhe të një vajze ende të paidentifikuar. Më 7 Gusht policia ka imazhin e fundit nga Ervis Martinaj në qytetin e Durrësit dhe të Tiranës tek një hotel ndërsa më 10 Gusht xhaxhai i tij Faik Martinaj ka bërë denoncimin në polici për humbjen e kontakteve me nipin.
Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.