Tentuan të vrisnin një shtetas disa herë/ SPAK mbyll hetimet për grupin e rrezikshëm nga Fieri

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr. 75/2022, të regjistruar për veprat penale të “Vrasje me paramendim”, “Vjedhje me armë”, “Vjedhje me dhunë”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” etj, të parashikuara nga nenet 78/2, 139, 140, 80, 152, 278/1, 28/4, 333/a e 334 të Kodit Penal. Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 72 datë 25.06.2023 ka vendosur:

• Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personit nën hetim Albert Pashaj i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasja me paramendim”, e kryer per interes, në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, e kryer në dëm të Aredin Beharit, dy herë, (në datat 05.11.2017 dhe 03.04.2019), në qytetin e Fierit, në bashkëpunim me të hetuarit Hanrik Hoxhaj  dhe Skerdi Tase parashikuar nga nenet 78/2, 22, 25, të Kodit Penal. Ky vendim është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit në datën 26.06.2023.

Nga hetimet ka rezultuar se, për shkak të konflikteve të vazhdueshme midis vëllezërve Albert Pashaj dhe të dëmtuarit Aredin Beharit i hetuari Albert Pashaj ka vendosur të vrasë shtetasin Aredin Behari në vitin 2017. Për të realizuar këtë qëllim, ai ka kontaktuar të hetuarin Hanrik Hoxhaj që të kryeje vrasjen e shtetasit Aredin Behari  kundrejt pagesës. Shtetasi Hanrik Hoxhaj. pasi ka marrë përsipër të kryejë këtë veprim, ka kontaktuar lidhjen e tij, të hetuarin Skerdi Tasen me qëllim që vrasjen të kryenin së bashku (H.H. dhe S.T. ndodhen aktualisht të arrestuar). Hoxhaj dhe Tase pasi kanë rënë dakord për të kryer vrasjen e shtetasit Aredin Behari kundrejt pagesës, kanë siguruar armën e krimit kanë vëzhguar viktimën dhe kanë përcaktuar ekzekutorin i cili do të ishte Skerdi Tase në datën 05.11.2017. Për arsye që nuk vareshin nga vullneti i hetuarve Hankrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase  vrasja e Aredin Beharit nuk u arrit të finalizohej, pasi objektivi i ka pikasur menjehere dhe është shtrirë në tokë. Por porositësi Albert Pashaj nuk është ndalur këtu. I hetuari Albert Pashaj ka dashur ta finalizojë krimin e nisur në 2017 dhe në vitin 2019 (vrasje e shtetasit A. B.) duke e çuar pagesën në 80.000 euro.

Për këtë arsye, të hetuarit Hanrik Hoxhaj dhe Skerdi Tase riorganizohen, duke gjetur automjetin, armën e krimit dhe pas vëzhgimit të objektivit (A.B.) në datën 03.04.2019, vendosin të vrasin shtetasin atë. Ekzekutor në këtë rast u vendos të ishte Hanrik Hoxhaj , duke qënë se herën e parë i hetuari Skerdi Tase nuk e finalizoi me sukses. Edhe këtë rast për fatin e mirë të viktimës (shtetasit A. B.) krimi nuk u arrit të finalizohej, pasi të hetuarit Hanrik Hoxhaj pas goditjes së parë ju bllokua arma e llojit automatik kallashnikov.