Tentuan të grabisin shtëpinë në Lushnjë, 3 në pranga

Policia e Lushnjes ka parandaluar një grabitje, e cila mund të kishte rezultuar me pasoja për jetën e pronarëve të banesës, pasi njëri nga autorët e dyshuar ishte i pajisur me pistoletë.

Të maskuar dhe me armë zjarri, Gentian Bajrami 22 vjeç dhe Ramazan Troka 29 vjec, banues në Radostinë të Fierit u kapën në flagrancë në oborrin e banesës ku donin të vidhnin, në fshatin Bubullimë pa hyrë ende në brendësi të saj. Ata u arrestuan pas informacioneve që banorë të fshatit u dhanë uniformave blu.

Gjithashtu, u kap dhe u arrestua Volter Alusha , 30 vjeç po nga Radostina pasi nga veprimet hetimore dyshohet se ka sjellë Bajramin e Trokën, në vendngjarje, me automjet, dhe po i priste ata në vendin e quajtur “Rotondoja e Kolonjës”, për t’i marrë sërish, pas kryerjes së krimit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me 1 krehër me municion luftarak, 2 maska, doreza plastike dhe 10 lidhëse plastike të lidhura në formë prangash.