Tentuan përsëri të fusnin në Shqipëri 82 mijë euro të tjera të padeklaruara. Arrestohen dy persona në Muriqan

Pronari dhe shoferi i një autobusi janë vënë në pranga pasi tentuan të fusnin në Shqipëri 82 mijë euro të padeklaruara. Arrestimi i tyre u bën në Muriqan ndërsa nën hetim janë 2 shoferët zëvendësues të autobusit.

Paratë ishin fshehur në një çantë në kroskotin e autobusit. Shuma e parave u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Pronari i autobusit, Rando Aliu nuk është emër i panjohur për ‘blutë’.

Në shkurt të këtij viti, ai u kap me 48 mijë euro të fshehura po në autobus. Edhe aso kohe, ai u kap në pikën kufitare të Muriqanit nga policia por u procedua në gjendje të lirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.