Tentoi të trafikonte armë zjarri nga Kosova, kapet shkodrani në Morinë
Një 26 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Morinës pasi akuzohet se po tentonte të trafikonte armë zjarri në drejtim të vendi tonë.
Sipas policisë në kuadër të operacionit policor të kodur “Transcendence”, i zhvilluar nga Policia Kufitare e Morinës, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër është bërë i mundur kapja e 26 vjeçarit që tentoi të fuste në Shqipëri, 2 armë zjarri pistoleta.
Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve me përzgjedhje, për shkak të fluksit të qytetarëve në hyrje/dalje, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme dhe krimeve të tjera kufitare, shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Transcendence”, si rezultat i të cilit u parandalua dhe u godit një tjetër rast i tentativës për të trafikuar armë zjarri, nga Kosova, drejt Shqipërisë.
Gjatë kontrollit në vijë të dytë, në hyrje të RSh-së, 26-vjeçarit i janë gjetur me vete dhe në çantë, 2 armë zjarri pistoleta, të cilat dyshohet se do të trafikoheshin në vendin tonë.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, është koordinuar me Policinë e Shkodrës, ku është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit I. S., në Shkodër, ku janë gjetur një tjetër armë zjarri pistoletë, fishekë luftarak, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, 400 fara të dyshuara të kësaj bime dhe 2 targa automjeti, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 pisoletat që iu gjetën shtetasit I. S., në PKK Morinë.

Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”