Të akuzuar si grup kriminal, SPAK kërkon pronat e Ervin Matës dhe Erzen Breçanit, nis mbledhja e provave

Prokuroria e Posaçme po mbledh të dhëna për pasuritë e Erzen Breçanit, djalit të tij Eralbit dhe Ervin Matës të akuzuar së fundi si grup kriminal. Pjesë e hetimit pasuror është edhe këngëtarja Elvana Gjata, ndërsa ish-polici Breçani del indirekt i lidhur me një polici private dhe me ndërtim HEC-i ku pasi shënoi humbje për 4 vjet, kërkon 300 mijë euro nga trafiku i drogës i të birit.

Hetimi pasuror i nisur nga Prokuroria e Posaçme ndaj grupit kriminal të Erzen Breçanit, djalit të tij Eralbit, të kërkuarit Ervin Mata dhe personave të tjerë të përfshirë në trafik droge, grup kriminal e krijim kushtesh për vrasje, po vijon me mbledhjen e të dhënave për bizneset dhe pronat e luajtshme dhe të paluajtshme. Përveç emrave të 11 personave të përfshirë direkt në hetim, 4 nga të cilët janë arrestuar dhe 7 që janë në kërkim, SPAK tha se po verifikon pasurinë e familjarëve të tyre dhe të këngëtares Elvana Gjata e cila përmendet në dosje për përdorimin e llogarisë së saj bankare nga Ervin Mata.

Ky i fundit ka kryer biseda në Sky ECC për trafikim droge në disa episode ndërkohë që nuk rezulton të ketë në emër të tij ndonjë biznes. SPAK po verifikon emrat e familjarëve ndërkohë Erzen Breçani rezulton i lidhur me dy kompani. Subjekti HEC DRITA ENERGY, me administrator Eralbi Breçani, i përgjuar direkt në biseda për trafik kokaine dhe transaksione financiare, është themeluar në 23 shtator 2019 me objekt aktiviteti ndërtimi, shfrytëzimi dhe administrimi i Hidrocentralit “DRITA”, deri tek shitja e energjisë.

Punimet në Lumin e Gashit, Bashkia Tropojë, janë bërë me leje ndërtimi të dhënë nga KKT, në datë 12.07.2019. Veprimet e fundit të HEC, janë kryer më 23 korrik 2023, dhe që prej datës 15 mars 2022 subjekti është i pezulluar. Subjekti ka dalë me humbje që nga viti 2019, deri në vitin 2022 duke raportuar aktivitet negativ. Ligjërisht mbetet e paqartë me çfarë janë përballuar humbjet e HEC-it ndërkohë që në faqet 84 dhe 85 të dosjes së SPAK, Erzen Breçani është përgjuar teksa bisedon me djalin e tij për shuma që i nevojiteshin nga 300 deri në 500 mijë euro për përballimin e shpenzimeve, madje, në një bisedë, tregon se kishte edhe probleme me pagat e punëtorëve.