SPAK merr të pandehur Arben Ahmetajn për privatizimin e ish-fabrikës së bukës, shkaktoi shtetit 7 mld lekë të vjetra dëm

Është rënduar pozita e ish-zëvendës ministrit Arben Ahmetaj, i cili ndodhet në arrati pasi GJKKO, firmosi urdhër-arrestin ndaj tij për aferën e inceneratorëve, pasi SPAK ka vijuar hetimet dhe për veprime të tjera të kundërligjshme të kryera nga ish-ministri.

Këtë herë SPAK ka marrë të pandehur ish-ministrin për privatizimin e ish Fabrikës së Bukës, ku sot është ndërtuar kompleksi ‘Emerald Center’, në rrugën 5 Maj në Tiranë, duke i shkaktuar shtetit një dëm me vlerë 7 mld lekë të vjetra.  Po vijon hetimi për 7 persona të tjerë, përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe ndaj biznesmenit Lirim Fezollari. Lirim Fezollari pronar i qendrës tregtare dhe kompleks banimi ‘Emerald Center’ dhe i qendrës së argëtimit ‘L’attitude’.

Ahmetaj në kohën kur është kryer privatizmi, ka qenë ministër Financash. Çështja po hetohet nga prokurori Elvin Gokaj, i cili e ka marrë të pandehur 10 ditë më parë. Avokati i ish-ministrit tashmë në arrati, është njohur me akuzën.

Ish-ministri Ahmetaj vijon të jetë deputet, por prej 24 gushtit 2023 administrata e Kuvendit i ka ndërprerë page dhe shërbimet mbështetëse që vijnë për shkak të detyrës si pagesa për telefonin, automjetin, karburantin si dhe shpenzimet e banimit.

Ahmetaj u largua nga Shqipëria para se të firmosej urdhër-arresti dhe ende nuk behet me dije vendodhja e tij. Ai është shpallur në kërkim kombëtar prej 24 korrikut 2023, pasi akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në një dosje voluminoze të SPAK, për çështjen e incineratorëve, Ahmetaj akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët kundrejt përfitimeve monetare.

Lajmi në përditësim…