SPAK kërkesë Kuvendit për arrestimin e Arben Ahmetaj, nesër mblidhet Këshilli i Mandateve
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, i kërkon Kuvendit dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit socialist, Arben Ahmetaj.
Kërkesa është firmosur nga kreu i SPAK, Altin Dumani të premten e kaluar, konkretisht më 7 korrik 2023, ndërsa lajmi u mësua sot, (10 korrik) tre ditë më pas. Me anë të kësaj kërkesë, SPAK kërkon leje nga Kuvendi për dhënien e masës së sigurisë për Arben Ahmetajn, por edhe për t’i ushtruar atij një kontroll në banesën e tij personale apo tabulatet telefonike. Ai është zyrtari më i lartë që përballet me kërkesën për arrestim në tri dekadat e fundit në Shqipëri dhe i pari ish-zv.kryeministër që pritet të arrestohet.
Arben Ahmetaj po hetohet për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, më shumë se një herë.