SPAK i dërgon kërkesë për të marrë në pyetje kryebashkiakun e Kamzës, Rakip Sulin.
Të mërkurën në orën 10:00 bëjnë me dije burimet e gazetares Anila Hoxha, kryebashkiaku i Kamzës duhet të paraqitet në dyert e prokurorisë.
Rakip Suli do të pyetet për të dhënë versionin e tij mbi hetimet që po kryen për dëmshpërblimet e tërmetit. SPAK po kryen hetime ndaj kryebashkiakut dhe zyrtarëve të bashkisë, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Mësohet se dy javë më parë se SPAK ka vendosur nën hetim kryebashkiakun e Kamzës Rakip Suli dhe të Rrogozhinës Edison Memolla, pas denoncimeve që i dyshojnë të dy zyrtarët se kanë abuzuar me tenderat e pastrimit të qytetit, por edhe se kanë firmosur dëmshpërblime mbi dëmtimet e banesave nga tërmeti. Memolla u paraqit pak ditë më parë në SPAK.
Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar sekuestrimin e dokumenteve mbi procedurën e ndjekur për tenderat dhe për dëmshpërblimet.
Disa kryebashkiakë dhe ish-kryebashkiakë përfunduan të pandehur gjatë këtij viti sidomos për tenderat, si të denoncuar jo vetëm nga KLSH-ja por edhe të referuar nga prokuroritë e zakonshme që ja përcollën kompetencën SPAK.