”Situatë që sa vjen e rëndohet”. Raporti i OKB-së për drogën: Grupet kriminale shqiptare po fuqizohen çdo vit
Nga Replika.al
Raportet e OKB-së: Shqipëria mbizotëron tregun e kokainës prej 10 vitesh
Grupet kriminale shqiptare konsiderohen lojtarë të rëndësishëm në tregun global të kokainës. Kjo sipas gjetjeve të raportit të fundit, prej 184 faqesh, të Zyrës së OKB-së për Drogën dhe Krimin.
“Nga Hollanda, kokaina shpërndahet në të gjithë Evropën dhe grupet shqipfolëse luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim, veçanërisht në trafikun drejt Italisë dhe Shqipërisë. Mbretëria e Bashkuar, ku grupet shqipfolëse, gjithashtu vlerësohet se ushtrojnë një kontroll të konsiderueshëm mbi tregun e drogës, furnizohet, në një masë të madhe, përmes porteve të mallrave në juglindje të Shteteve të Bashkuara”, thuhet në raportin, në të cilin emri i Shqipërisë dhe shqiptarëve përmendet mbi 30 herë. Sipas gjetjeve, grupet kriminale shqiptare luajnë një rol të rëndësishëm në tregtinë e kokainës edhe në Irlandë, ndonëse ky treg vazhdon të kontrollohet nga grupet kriminale irlandeze. Konkurrenca mes grupeve kriminale nga Ballkani, duke përfshirë grupet shqipfolëse, kanë shkaktuar vrasje të shumta në Mal të Zi, Serbi dhe Shqipëri që nga viti 2015.
Raportet e fundit – nga “kampione e kanabisit” në “vend kyç trafikimi”.
Një klasifikim i tillë i Shqipërisë nuk është aspak një surprizë. Raportet viteve të fundit të Zyrës së OKB-së për Drogërat dhe Krimet flasin për një situatë që sa vjen e rëndohet. Në dhjetëvjeçarin e fundit, grupet shqipfolëse janë bërë lojtarët kryesorë në tregun e kokainës në Evropë, duke u mbështetur në një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh, në mesin e diasporës shqiptare jashtë vendit dhe shpesh duke punuar në bashkëpunim edhe me grupet kriminale italiane. Le t’i hedhim një sy gjetjeve kryesore të raporteve të viteve të fundit.
Edhe raporti i një viti më pare, 2021 e renditi Shqipërinë në vendin e shtatë në botë për kanabisin, gjatë viteve 2017-2019. Sipas tij Shqipëria qëndron pas vendeve si Maroku, Afganistani, Spanja, Holanda, Pakistani dhe Libani, për origjinën, nisjen dhe kalimin tranzit të kanabisit dhe është pjesë e rrugës së Ballkanit për heroinën. Heroina trafikohet nga Pakistani, kalon nëpër Siri, Turqi, Greqi, Shqipëri dhe përfundon në vendet e Europës Perëndimore.
Në të njëtin raport të publikuar në vitin 2020 Shqipëria renditet përkrah Hollandës, duke u cilësuar si dy shtetet kryesore në Evropë që përmenden, më shpesh, për periudhën 2014-2018 si shtete të origjinës, nisjes dhe tranzitit të barit të kanabisit. Sipas raportit, analiza e të dhënave direkte dhe indirekte për periudhën 2010 –2018 tregon për një sërë vendesh, që ka të ngjarë të kenë “kultivim domethënës të kanabisit” në raport me shtete të tjera në të njëjtin rajon dhe nënrajon. Për Europën Juglindore, sërish përmendet vetëm Shqipëria. Ndërsa në Europën Perëndimore përmenden Holanda, Italia, Mbretëria e Bashkuar (plus Irlanda e Veriut), Spanja dhe Belgjika.
Në raportin e vitit 2019, një vit para pandemisë, Shqipëria konsiderohet si prodhuesja më e madhe e kanabisit në Europën Juglindore për periudhën 2010-2017 dhe një nga tre shtetet që është përmendur më shumë në raportet e viteve të fundit për tranzitimin dhe kapjen e kanabisit, së bashku me Holandën dhe Spanjën. Shqipëria përmendet dhe si një nga vendet e Europës, ku janë kapur laboratorë kokaine, së bashku me Belgjikën, Slloveninë, Portugalinë dhe Spanjën. Ndërsa për rrëshirën e kanabisit (substanca që nxirret pas presimit të kanabisit), Shqipëria renditet e gjashta në botë për të njëjtën periudhë, sipas një grafiku të publikuar në raport, që rendit “Shtetet kryesore të origjinës së rrëshirës së kanabisit, sipas raportimeve nga shtetet anëtare, 2014-2018”. Ndërkohë rekordi i prodhimit të kanabisit në Shqipëri vijon të mbetet viti 2016, i matur indirekt përmes rrënjëve të asgjësuara, që arritën në 2.5 milionë.
E njëjta situatë parqitet edhe në raportin e vitit 2018, ku grupet kriminale shqiptare janë mjaft aktive në Evropë dhe “së fundmi ata kanë krijuar një rrjet aktiv në Belgjikë, ku në lokalet e shfrytëzimit të prostitucionit shpërndajnë dhe drogë.” Ky raport fakton dhe linjën e pastrimit të parave të fituara nga këto aktivitete kriminale, ku nga Belgjika u nisën 3.4 milionë euro në dy automjete ‘Toyota Auris’, para të cilat, sipas policisë shqiptare janë të kushërinjve Alfred dhe Elvis Vladi.
Në vitin 2017, në raportin e ndarë në 5 kapituj të zgjeruar, Shqipëria, si asnjëherë tjetër në raportet e mëparshme, përmendet në pothuajse të gjitha, si një nga vendet kyçe në trafikimin, prodhimin e barit të kanabisit, madje dhe përdorimin e substancave të forta psikotike nga të rinjtë. Shqipëria konsiderohej, gjithashtu, një nga vendet me evidenca të forta në përfshirjen e grupeve të krimit të organizuar në trafikun e heroinës, kokainës dhe kanabisit.
Renditja e Shqipërisë në 5 vendet e mëdha të kultivimit të Kanabisit, së bashku me Kolumbinë, Xhamajkën, Holandën dhe Paraguain u zyrtarizua në raportin e vitit 2016. Sipas tij vendi ynë gjeneronte në atë periudhë 2.6 përqind fitime të Prodhimit të Brendshëm Bruto nga droga. Kjo shifër rezultonte më e lartë në Shqipëri, krahasuar me vende të tjera më të zhvilluara si Italia, Franca e Britania e Madhe, të cilat konsiderohen si tregjet kryesore të shitjes së drogës. Të ardhurat e drogës, vetëm në të ashtuquajturën rrugë ballkanike kapin shifrën e 28 miliardë dollarëve në vit.
Në raportin e vitit 2015 Shqipëria, rezulton të jetë një vend destinacion i kokainës. Vetëm në vitet 2013-2014 u sekuestruan rreth 1400 kg kokainë e nisur nga portet e Amerikës Latine që synonin të mbërrin në Durrës, nëpërmjet kontenierëve. Në vitin 2014 të gjitha dërgesat me destinacion final Shqipërinë ishin nga Ekuadori. Në 15 prill 2014 një kontenier me destinacion Shqipërinë u kontrollua në një port të Panamasë, pasi arriti t’u kalojë autoriteteve ekuadoriane dhe aty u gjetën 130 kg kokainë. Në 18 maj, pas kontrollit të një kontenieri me destinacion Portin e Durrësit u gjetën 197.1 kg kokainë. Në 5 qershor, sasia prej 250 kg kokainë e sekuestruar në Portin e Tivarit në Mal të Zi ishte nisur nga Ekuadori, zyrtarisht me një ngarkesë bananesh dhe kishte si destinacion përfundimtar Portin e Durrësit. Ky port nuk është vetëm porta hyrëse e drogave që vijnë me konteinerë nga Amerika Latine, por edhe portë dalëse për në vendet e BE-së. Në vitin 2014, vetëm në Durrës u sekuestruan 3439 kg kanabis sativa dhe 10 kg heroinë, zakonisht të fshehura në gomat e automjeteve, serbatorë, dysheme apo tavanë të autobusëve etj.
Indeksi Global i Krimit të Organizuar`
Dhe këto raporte nuk janë të vetmit që flasin për një rol kryesues të Shqipërisë në tregun e kokainës. Kështu edhe sipas Indeksit Global të Krimit të Organizuar të vitit 2021 Shqipëria është një vend kyç tranzit për heroinën dhe kokainën që më pas trafikohet në Amerikën Latine. Aktorët kriminalë shqiptarë, gjithashtu, luajnë rol qendror në tregjet e heroinës dhe kokainës në Evropë. Grupet e stilit mafioz kanë krijuar shoqata me kartelet amerikane, Ndranghetan italiane dhe prodhuesit e kokainës, duke i lejuar ata të importojnë sasi të mëdha të cilësisë së lartë kokaine me çmime konkurruese dhe duke u dhënë atyre akses në infrastrukturën komplekse globale. Po sipas këtij Indeksi, kriminelët e organizuar shqiptarë kanë në kontroll një pjesë të konsiderueshme e tregtisë së kokainës në Evropë. Shqipëria është gjithashtu një vend tranzit për heroinën e trafikuar drejt Evropës përmes rrugës ballkanike nga Turqia, Irani, Afganistani dhePakistani. Pjesa më e madhe e heroinës trafikohet në Shqipëri nga toka, përmes rrugës nga Maqedonia e Veriut, por laboratorë të përpunimit të heroines janë zbuluar edhe brenda vendit nga policia shqiptare.