Situatë alarmante në Patos/ Flakët dalin nga kontrolli, rrezikohen depozitat e naftës! Balla: Të mbrohen zonat e banuara
Situatë alarmante në Bashkinë e Patosit.
Sipas banorëve, ka shtëpi që rrezikohen ashtu si dhe depozita me naftë bruto. Po ashtu, një nënstacion elektrik është shkrumbuar nga flakët në Patos, ndërsa OSHEE është detyruar të stakojë energjinë elektrike, si masë e nevojshme sigurie.
Në një reagim referuar situatës, Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaron se po punohet për shuarjen e flakëve, dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
“Po ndjekim situatën në Bashkinë Patos, në fshatin Margëlliç, ku po luftohet me zjarrin, i cili ka marrë përmasa tepër të mëdha. Forcat zjarrëfikëse të Patosit, Roskovecit, Fierit, kompanisë Albpetrol po punojnë në disa drejtime për të mbrojtur zonat e banuara, ndërsa janë nisur forca edhe nga Lushnja, Vlora dhe Berati. Policia e Shtetit ka dërguar efektivë të shumtë të FNSH, ndërsa ka arrestuar autorin e dyshuar të kësaj zjarrvënie”- shkruan Balla.