Situata e rendit në vend/ Policia vendos me prioritet 3 ngjarjet e rënda
Shqipëria është përballur me disa ngjarje kriminale që kanë tronditur vendin kohët e fundit.
Nisur nga këto rrethana Policia e Shtetit është vënë në lëvizje për zbardhjen sa më të shpejtë të tyre.
Burime bëjnë të ditur se janë tre ngjarje kriminale që janë vendosur me prioritet.
Bëhet fjalë për vdekjen në rrethana misterioze të vajzës keniane Joy Ajoko, atentatin me kallashnikov në Don Bosko si dhe të shtënat mbi godinën e Top Channel.
Gjithashtu bëhet e ditur se për sa i përket vdekjes së kenianes pista kryesore është ajo e një konflikti brenda banesës ku jetonte Joy Ayoko.
Besohet se një person që ka pasur konflikt të thellë me kenianen ka hyrë në banesë dhe në këtë moment si shpëtim të vetëm vajza ka parë dritaren e banesës së saj. Nga agresioni që ka pasur dyshohet se vajza është detyruar që të tentojë të shpëtojë nga dritarja por është dëmtuar rëndë Megjithatë thonë burimet nuk përjashtohet edhe pista e një dhunimi të saj dhe inskenimi si tentativë vetvrasje.
Po ashtu mësohet se po shikohen edhe mesazhet e fundit që ka shkëmbyer vajza keniane ndërsa telefoni i saj vijon të jetë në laboratorin e kriminalistikës për të bërë te mundur hapjen e të gjitha komunikimeve.
Një çështje tjetër me rëndësi hetimi është ajo e ngjarjes në Don Bosko ku mbeti e vrarë banakierja dhe u plagosën 5 persona te tjerë bashkë me një vajzë te mitur. Burimet nga Policia e Shtetit bëjnë të ditur se grupi hetimor ka bërë një avancim për sa i përket kësaj ngjarje.
Për sa i përket ngjarjes së sulmit ndaj një media në pak javë më parë. Burimet bëjnë me dije se janë shumë pranë zbardhjes së ngjarjes. Policia dyshon se është një grup kriminal nga veriu i Shqipërisë. Pikërisht ky grup besohet se ka organizuar edhe atentatin ndaj medias.