Si i bleu “mbreti i kokainës” Dritan Rexhepi gjyqtarë e mjekë publikë për tu arratisur?

“Mbreti i kokainës”, siç njihet shqiptari Dritan Rexhepi, i njohur ndryshe si Lulëzim Murati ka përdorur mekanizma të ndryshëm për t’iu shmangur autoriteteve ekuadoriane dhe për t’u arratisur nga vendi.

Rexhepi ishte në burg në Ekuador që nga viti 2014 për trafik droge, por ai u lirua në vitin 2021, pasi iu dha mundësia që të vuante pjesën e mbetur të dënimit (13 vite), jashtë burgut. Edhe pse gjyqtari që ka vendosur për këtë çështje ka caktuar disa masa për shqiptarin, por asnjëra nuk është përmbushur. Nga informacionet zyrtare bëhet e ditur se në favor të Rexhepit kanë vepruar mbrojtësi publik, gjyqtari, zyrtarët e burgjeve dhe mjekët publikë.

Në vitin 2015, kur u dënua me 13 vite burg, Gjykata Kombëtare e Ekuadorit vendosi që shqiptari të ekstradohet sapo të përfundojë dënimin në Ekuador, por kjo nuk është më e mundur. Disa dokumente të gjykatës italiane e identifikuan Rexhepin, tani 42 vjeç, si “mbreti i padiskutueshëm” me akses në “sasi të pafundme kokaine” nga kompania Bello, kjo një kartel i përbërë nga 14 banda kriminale shqiptare të përfshira në trafikun e drogës dhe që, sipas autoriteteve, ai kishte funksionuar që nga viti 2014 në Ekuador, Holandë, Belgjikë, Shqipëri dhe Itali.

Pse u lirua?

Kur Rexhepi kërkoi lirimin nga burgu, ai argumentoi se vuante nga lupus eritematoz sistemik, një sëmundje e pashërueshme dhe inflamatore në të cilën sistemi imunitar sulmon indet e veta dhe prek nyjet, lëkurën, veshkat, qelizat e gjakut, trurin, zemrën dhe mushkëritë. Në vitin 2021, gjyqtari i garancive penale, Diego Poma, i akuzuar për favorizimin e trafikantëve të tjerë ekuadorianë të drogës të lidhur me kartelin Sinaloa, pranoi kërkesën e Rexhepit për të dalë nga burgu me pretendimin se  e drejta e shqiptarit për shëndetin mbizotëronte mbi krimet që kishte bërë, duke mos lejuar as ekstradimin e tij. Për më tepër që shqiptari pretendonte se në burg nuk e merrte dot mjekimin e nevojshëm. 

Por në vendimin e tij, gjyqtari Poma kërkoi që të ndiqen disa masa për të mos lejuar që Rexhepi i cilësuar si “mbreti i arratisjeve” kërkoi që të mbahej nën kontroll dhe të mos t’i shpëtonte radarit të autoriteteve. Ndaj çdo 15 ditë, shqiptari duhej të paraqitej dhe të firmoste. Në 2 vite liri, ai u paraqit 22 herë para autoriteteve, por mungoi dhe më pas e arsyetoi 14 herë të tjera mungesën e tij.

Sipas procesit ligjor, Rexhepi regjistroi si adresë banimi një apartament në një kompleks privat ekskluziv në Samborondón, pranë Guayaquil, por më 17 prill u zbulua se për më shumë se dy vjet, Rexhepi nuk ka shkelur në atë ambient.

Plan i përpiktë për t'u arratisur nga Ekuadori! PAMJE

Nuk është për t’u habitur që Rexhepi ka përdorur një adresë false. Pasi mësoi se Rexhepi nuk është në vendin që është regjistruar, drejtori i dënimeve me burgim ka paraqitur ankesë për mashtrim, por mëngjesin e kësaj të hëne u mësua se zyrtari kishte marrë kërcënime për denoncimin.

Megjithatë ai kishte kërkuar listën e pasagjerëve të fluturimeve të dy linjave ajrore komerciale, e para më 2 nëntor 2022, në të cilën gruaja dhe vjehrra e Rexhepit do të largoheshin nga vendi me destinacion Turqinë. E dyta, nga 14 janari 2023, për të cilën nuk ka asnjë informacion të mëtejshëm.

Rexhepi në arrati dhe dy ekstradime të paplotësuara

Me gjithë këto që kanë ndodhur, Dritan Rexhepi duhet të shpallet i arratisur pasi është një kriminel i akuzuar për trafik droge dhe vrasje në vende të tjera. Ai kërkohet nga Italia dhe Shqipëria për dënim me 25 vite burg për vrasjen e një punonjësi policie.