Sherri mes dy fiseve në Hamallaj/ Zbardhet dëshmia e shoferit të kryeparlementares: Qëllova me armë për…

 

Sherri mes kushërinjve-fqinjë në Hamallaj të Durrësit për çështjen e një rruge, ose më saktë të mosmundësisë për të zgjidhur problemet mes tyre, për pak sa nuk është kthyer në një ngjarje të rëndë.

 

Ndërkohë që dy djemtë e familjes Nikolla janë vënë në pranga, familja Kaçi ka tre pjesëtarë të familjes të plagosur, ku njëri prej tyre vijon të jetë në spital. Policia dhe Prokuroria duket e se kanë mbyllur tashmë çështjen në shkresa dhe në arrestimin e gardistit Martin Nikolla, por pa marrë përsipër të shkojnë atje dhe të verifikojnë problematikën, pasi i njëjti problem, zien thuajse në të gjithë vendin ku banorët e së njëjtës lagje kanë në duar fatet e njëri-tjetrit.

Dje ka folur babai i djemve të plagosur, ndërkohë që Martin Nikolla ka mohuar t`i ketë drejtuar armën kujt. Ai ka mohuar dhunën, por ka pranuar që ka shtie në ajër për që të mos agravonte situata. Por çfarë thotë Pjetër Kaçi, i moshuari që u përball i pari me ta ditën e diel?

DËSHMIA

I moshuari, Pjetër Kaçi, i cili u dhunua nga 3 vëllezër të familjes Nikolla ka treguar se si ndodhi ngjarja e rëndë ditën e diel (30 korrik) në Hamallaj. 80-vjeçari, në një intervistë për “News24”, u shpreh se konflikti ka nisur për rrugën dhe plani për dhunimin e tij ka qenë i planifikuar. Ai u shpreh se njëri prej vëllezërve, Arbeni, i ka prerë rrugën kur dërgoi lopën në parcelë dhe i ka thënë se “ky vend do lahet me gjak”. Sipas tij, ata janë kushërinj me njëri-tjetrin dhe se gruaja e punonjësit të Gardës, Martin Nikollës, e ka sharë me fjalë banale.

“Dje unë shkova çova lopën në parcelë. Ka qenë plan i kurdisur. Ka ardhur djali i madh. Më tha hë, shyqyr që më fole, dhe erdhi prej atje këtu dhe tha do të lahet me gjak ky vend. Më pas erdhën kalamajtë dhe gruaja ime. I kam çuar pleqtë me zakon të Mirditës, nuk i ka pranuar. Nuk e di ku i kam rënë në qafë”, tha i moshuari.

Më pas shtoi: “Ka hyrë fërkimi për dy kolona. Tjetër gjë nuk kam pas me ta. I kemi pas nënat motra, i kam të afërm. Unë i kam prurë këtu. Shteti mbaroi detyrën e vet, sepse kolonat nuk duhet t’i kishte prishur pa vendim gjykate. Më pas erdhën për të prishur këtë rrugën këtu.

Unë nuk di se qysh me ba me ata. Gruaja e Martinit ka ardhur këtu dhe më ka sharë, ka thënë fjala të pista. Dhe gruan e tij e kam të afërme.

Këta janë prishur mendsh, kujtojnë se kanë prekur qiellin me dorë. Kanë myt veten dhe mua”

Të dhunuar gruaja dhe fëmija i Altin Kaçit Një ditë më parë në fshatin Hamallaj, dy familje u përfshinë në një konflikt mes tyre.

Sherri mes familjes Nikolla dhe familjes Kaçi degradoi për përdorimin e shkopinjve të bejsbollit dhe të armëve. Martin Nikolla, i cili është punonjës i Gardës së Republikës dhe pjesë e grupit të shoqërimit të kryeparlamentares Lindita Nikolla së bashku me vëllezërit e tij i kanë zënë pritë dhe kanë dhunuar 80-vjeçarin Pjetër Kaçi, kryefamiljar i familjes Kaçi cili po kalonte në rrugën e lagjes.

Gazetari Igli Çelmeta bëri me dije se përveç dhunës ndaj anëtarëve të familjes Kaçi, familja Nikolla kanë dhunuar edhe fëmijë minorenë dhe gra të familjes Kaçi. Mësohet se është qëlluar me shkop bejsbolli, edhe bashkëshortja e Altin Kaçit dhe djali i tij, 16 vjeç.

Altin Kaçi është vëllai i Kastriot Kaçit. Sipas dëshmive të anëtarëve të familjes Kaçi, Martin Nikolla ka nxjerrë pistoletën duke ia drejtuar familjes Kaçi, duke qëlluar 5 herë në drejtim të tyre. Si pasojë e dhunës janë plagosur 3 djemtë e familjes Kaçi njëri prej të cilëve ka marrë fraktura në kokë, ndërsa dy të tjerët janë në gjendje më të mirë.

Rrëfimi i gardistit

Ngjarja në Hamallaj, ku për një konflikt të rrugës u përdorën shkopa bejsbolli ndaj familjes Kaçi si dhe u qëllua me pistoletë në ajër tashmë është në dyert e drejtësisë.

Efektivi i Gardës së Republikës Martin Nikolli pas arrestimit në polici ka deklaruar se ka qenë pala tjetër, e cila ka ardhur dhe është përfshirë në konflikt.

Në dëshminë e tij ai tregon për konfliktin që kanë për rrugën me Familjen Kaçi dhe debatet e herëpashershme.Në përgjigjet e tij ai ka argumentuar dhe momentin kur ka nxjerrë armën me të cilën shprehet se ka qëlluar vetëm në ajër.

Mësohet se ai ka deklaruar se është mbrojtur me degradimin e situatës dhe përdorimin e sendeve të forta. Në këtë mënyrë shkrepja e pistoletës ka shpërndarë palët.