Seanca për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestin e Berishës, Gjokutaj: Të hiqen masat ekzistuese, janë anti-kushtetuese
Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj ka folur për mediat pasi doli nga mbledhja e Këshillit të Mandateve ku po mbahet seanca për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të kreut të Rithemelimit.
Ai tha se duhet të hiqen edhe masat ekzistuese si “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit” ndaj Berishës dhe jo të kërkohet rëndimi i tyre, duke qenë se në Gjykatën Kushtetuese është dorëzuar kërkesa për pezullimin e kërkesës së SPAK.
“Ju e ndoqët të gjithë seancën, patë qëndrimet e anëtarëve të Komisionit. Kjo seancë na shërbeu për të denoncuar veprimet e SPAK-ut që do të ndikojnë në një vendimmarrje. Duhet të hiqen edhe ato masa të kundraligjshme që janë marrë dhe jo të ashpërsohen”- tha Gjokutaj.