Qeveria rikthen në shërbim aktiv ushtarakët në rezervë, kush mund të aplikojë

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin që përcakton procedurat, mënyrën dhe rregullat për rikthimin e ushtarakëve në rezervë në shërbimin aktiv të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Vendimi synon të forcojë kapacitetet mbrojtëse të vendit përmes një procesi transparent, të bazuar në parimet e barazisë, meritokracisë dhe mosdiskriminimit.

Sipas vendimit të publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë, rikthimi do të bëhet në dy raste kryesore: 1-Shtimi i numrit të personelit apo nevoja për specialitete të veçanta që garantojnë operacionalitetin e Forcave të Armatosura; 2-Mobilizimi i përgjithshëm ose i pjesshëm.

Aplikimi do të bëhet në mënyrë elektronike përmes portalit “e-Albania”, brenda një afati 10-ditor nga shpallja.

Kandidatët do të kalojnë një proces verifikimi dhe vlerësimi të dokumentacionit, të ndjekur nga intervista dhe kontrolli i sigurisë.

Vendimet e komisioneve të vlerësimit dhe shqyrtimit të ankesave do të komunikohen po ashtu nëpërmjet platformës “e-Albania”.

Kandidatët fitues do të rikthehen në shërbim me gradën e mëparshme, por nuk do të kenë të drejtë të konkurrojnë për gradim gjatë kohës së kontratës së re.