“Protesta e Ndërgjegjës”/ Banorët e Mirditës, Matit e Dibrës protestë për rrugën Perlat-Lurë: Do hani dardha (paralajmërimi për HEC-et)
“Protesta e Ndërgjegjes”.
Kështu e kanë quajtur mirditorët, matjanët dhe dibranët reagimin e tyre përmes protestave për mos ndërtimin e rrugës piktoreske “Perlat-Lurë-Arras”, një vepër që do duhej të përfundonte që në verën e vitit 2023, por që u shty për tu dorëzuar më 27 mars të këtij viti. Një emërtesë e tillë është vendosur për të treguar se ky reagim vjen nga ndërgjegjësimi i komuniteteve të Lurës, Mirditës e Matit, për të kërkuar mbajtjen e premtimeve të dhëna pasi për familjet e mbetura atje, është jetike ndërtimi i rrugës.
Qytetarë nga të trija krahinat u mblodhën në kryqëzimin që i ndan ato gjeografikisht, me një emër të veçantë “livadhi i Turkut”. Banorët të shumtë në numër, thanë se turqit e vërtetë tashmë kanë ikur prej më se një shekulli nga këto territore, falë edhe rezistencës heroike, “por janë turqit e rinj që po kacafyten në Kuvend për pushtet aktualisht që ne lagemi nën rrebeshin e shiut, për premtimet e tyre të pa mbajtura, që duan ta sundojnë këtë vend”, thanë ata.
Rruga qëndroi e bllokuar për rreth 1 orë, teksa folësit ishin nga fshatrat e të trija krahinave, të cilët nuk kursyen as ti kujtonin qeverisë, se një banorë i Lurës, vite më parë, kur kryeministri premtonte ndërtimin e rrugës, i kishte thënë që ‘po gënjen’, dhe fatkeqësisht deklarata e tij para shefit të qeverisë, rezultoi e vërtetë.
“Kam dy fjalë për t’i thënë Edi Ramës. Kur ishte në Lurë para 3 vjetësh, të tha një qytetar se ti gënjen. Ti paske gënjyer shumë mirë, bravo të qoftë. Ne rrugën e duam të bëhet shpejt e shpejt, e keni prishur më shumë”, është shprehur një nga banorët që udhëtoi nga Lura për t’iu bashkuar protestës.
Një tjetër protestues, që ka investuar në zonë, por që shumë klientë anulojnë rezervimet për shkak të rrugëve të amortizuara, qoftë edhe ajo e ndërtuar vite më parë nga qeverisja e demokratëve Rrëshen-Klos, kryesisht nga kalimi i trajlerve me krom të Bulqizës, tha se protesta është përtej çdo bindjeje politike, dhe paralajmëroi klasën politike se asnjë votë nuk do të marrin në Mirditë nëse nuk ndërhyjnë për të ndërtuar rrugën.
“Mos u mashtroni. Pse keni frikë, nga se keni frikë? Të protestosh për rrugën e kalamajve tuaj, çfarë është kjo frikë. Po dalim për fëmijët tonë, nuk po dalim as për PD, as për PS, as për nuk na e ndjen fare. Por merrni pjesë se është trishtim në këtë lloj mënyre. Asnjë votë nuk e keni nga ne, as mos të vijë asnjë lloj deputeti i çdo lloj ngjyre. Na keni mashtruar për 30 vjet. Turp të keni, na keni lënë me këto vështirësi në këto zona”.
Një tjetër protestues, vuri në pah resurset e mëdha që ka zona dhe harresën nga pushteti.
“Jemi këtu për të dëshmuar se jemi pjesë e territorit të Shqipërisë. Na i morën mineralet e nëntokës, na i morën ujërat. Na i morën edhe malet tona. Tani çdo na marrin tjetër…? Një copë rrugë, që lidh dy krahina. Që lidh qarkun e Lezhës dhe Dibrës. Që në vendet e përparuara janë projekte prioritare, që zhvillojnë një ndër viset më të bukura të Shqipërisë Veriore. Me liqenjtë e Lurës, me krojet, me ujëvarat, me kullat tona që i dhanë visarit tonë kombëtar. Prandaj jemi këtu ti kërkojmë qeverisë shqiptare, të mos tallet me ne, me këto qëndrime përbuzëse, me këto fonde skandaloze për një segment të tillë. Prandaj jemi këtu për të dëshmuar se do ti përshkallëzojmë protestat tona në “Rrugën e Kombit” dhe më tej”.
10 ditë nga afati i dorëzimit të kësaj rruge, në të nuk po bëhet prej një viti asnjë punim. Banorët thonë se dëgjojnë për faliment të firmës së kontraktuar, borxhe, mungesë financimi, por qeveria ka heshtur deri më tani për të dhënë një sqarim konkret.
Nga protesta, qytetarët paralajmëruan se përgjegjësit kanë 20 ditë kohë, dhe nëse nuk do të ketë reagim, më datë 5 prill, do të bllokojnë “Rrugën e Kombit”. Ata paralajmërojnë gjithashtu se në ditët në vijim mund të pengojnë edhe zhvillimin e takimeve elektorale të subjekteve politike, në shenjë proteste për mos përgjigjen e institucioneve mbi situatën ku ata ndodhen.
Por gjatë protestës, banorët, nuk lanë pa përmendur edhe dëmet e shkaktuara nga ndërtimi i HEC-eve në Mirditë dhe fshatrat e saj, kryesisht në zonën e Selitës. Ata theksuan se kanë marrë nga 3 firma në çdo fshat, dhe lanë të kuptojnë se nuk janë respektuar as kontratat me banorët apo pushtetin lokal, duke paralajmëruar se nëse nuk do dalin të flasin e komunikojnë me banorët, do depozitojnë kallëzim penal në SPAK’
“Ju të rrugëve të pa udhë, dhe ju që keni zhvatur pasuritë, sidomos lumenjtë e përrenjtë. Dilni flisni me banorët, dilni se do përballeni me të papërballueshmen. Nuk keni ju mundësi të bëni zap banorët e Matit, Dibrës e të Mirditës. Nuk ua ka bërë zap askush, as hasmit. Po ua bëkeni ju, hajdutët. Shkoni flisni me ata që i keni konsideruar gjobvënës, unë jam gjobvënësi i parë, shkoni flisni me banorët se do shkoni tek dardhat, do hani dardha, e burgu ka vend plot”