Prokuroria e Fierit sekuestron pasuritë e çiftit shqiptar që u kap me mbi 580 kg kokainë në Greqi
Prokuroria e Fierit ka sekuestruar pasuritë e çiftit shqiptar që u kap duke trafikuar mbi 580 kg kokainë në Greqi.
Bëhet fjalë për 50-vjeçarin shqiptar Arjan Neki Xhafa, së bashku me bashkëshorten Lutmira Fatmir Xhafaj, të cilët ranë në pranga në fund të këtij shtatori.
Çifti janë arrestuar në Greqi për kapjen e 585 kg e 208 gramë lëndë narkotike “kokainë” , ku të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari kriminale i kanë pastruar në vendin tonë.
Gjykata e Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Fier pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe me anë të oficerëve të policisë gjyqësore të shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara kanë ekzekutuar vendimet gjyqësore.
Në pranga të policisë greke kanë rënë edhe dy nipërit e 50-vjeçarit, Ilirjan Shpëtim Baraj 35 vjeç dhe Klevis Arben Muskaj 21 vjeç, të gjithë me origjinë nga Fieri, të cilët u kapën nga hetimi i Prokurorisë së Drogës të Seksionit të Selanikut dhe DEA-s. Gjithashtu partner i familjes është edhe 33-vjeçari Avelino Alfred Feimi me origjinë nga Vlora, por me kartë identiteti grek, ndërsa burime thonë se asnjë nga të arrestuarit nuk ishte i njohur më parë për autoritetet. Sasia e madhe e drogës u gjet në dy automjete dhe në një shtëpi ku banonin tre anëtarët e grupit. në 239 pako.