Prishja e kontratës me kompaninë EMS për portin e Durrësit, reagon Ambasada gjermane: Të gjendet një mjedis tërheqës për investimet, është në interes të të dyja vendeve

Ambasada Gjermane ka deklaruar se po ndjek me vëmendje zhvillimet në lidhje me koncesionin e kompanisë gjermane EMS  në portin e Durrësit, ku në një reagim për News24 deklarojnë se për procedurat që ende vijojnë, nuk mund të shprehen.

 

“Është në interes të dy vendeve tona që kompanitë gjermane dhe kompani të tjera ndërkombëtare të gjejnë një mjedis tërheqës për investime në Shqipëri. Për këtë janë thelbësore kushtet e drejta dhe ligjore”, thuhet në këtë reagim të Ambasadës.
Kujtojmë se EMS akuzoi të shtunën APD-në për veprime arbitrare, pasi kishte hyrë me forcë në terminal, në orët e para të mëngjesit dhe kishte bllokuar me blloqe betoni ushtrimin e veprimtarisë së kompanisë koncesionare.

Në reagimin e saj, EMS theksonte se i është cënuar dhe kufizuar aksesi në zonën e koncesionit.