Policia largon një person të paautorizuar nga qendra e votimit në Elbasan

 

Në 3 qendra votimi në Elbasan janë shfaqur problematike në lidhje me persona të paautorizuar. Konkretisht në Bradashesh, në qendrën e votimit 2930/01 policia ka ndërhyrë me kërkesë të KQZ dhe ka larguar shtetasin E. Ll., pasi dyshohej se po ndikonte tek votuesit.

Në një tjetër rast, në Mengel të Elbasanit në qendrën e votimit 2422/1, KQZ kërkoi ndihmën e policisë pasi vëzhguesit ishin paraqitur pa beixh për procesin zgjedhor dhe pa dokument identifikimi.

Punonjësit e Policisë, me vendim të KQV-së, kanë ndërhyrë në Qendrën e Votimit dhe pas verifikimit të situatës, vëzhguesit që nuk kishin mjete identifikimi janë zëvendësuar me vëzhgues të tjerë. Po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit, pas rifillimit të procesit të votimit, punonjësit e Policisë janë larguar nga Qendra e Votimit.

Ndërsa në rastin e tretë, në lagjen “Partizani” në Elbasan, Komisioni i Qëndrës së Votimit nr. 2373, ka kërkuar ndihmë nga policia, pasi njëri nga vëzhguesit e Qendrës së Votimit kishte debatuar me operatoren e kësaj Qendre. Shërbimet e policisë, me vendim të KQV-së, kanë shkuar menjëherë në këtë Qendër Votimi, ku pasi kanë sqaruar situatën, janë larguar nga Qendra e Votimit, po me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit.   Për të treja rastet është vënë në dijeni edhe prokurori i gatshëm.