Policia e Shtetit vlerësohet për masat e shkëlqyera në Giro d’Italia dhe në edicionin e 82-të, të Turit Çiklistik të Shqipërisë.

Pas vlerësimit të parë nga RCS Sport & Events, organizatorja ndërkombëtare e Giro d’Italia, Policia e Shtetit ka marrë një tjetër vlerësim të rëndësishëm për angazhimin e saj maksimal dhe profesionalizmin në garantimin e sigurisë gjatë dy eventeve të mëdha sportive: Giro d’Italia dhe Turi i 82-të Çiklistik i Shqipërisë.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Çiklizmit, Skënder Anxhaku, me porosi të Presidentit të Unionit Europian të Çiklizmit (UEC), Enrico Della Casa, dhe Presidentit të Unionit Ndërkombëtar të Çiklizmit (UCI), David Lappartient, i dhuroi Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, kaskën e një prej çiklistëve të ekipit Movistar që mori pjesë në Giro d’Italia, si shenjë simbolike mirënjohjeje për punën dhe kontributin e Policisë Shqiptare.

Takimi u zhvillua në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku u theksua roli i jashtëzakonshëm i strukturave policore në mbarëvajtjen e të dy garave.

Presidenti i Federatës së Çiklizmit, Skënder Anxhaku tha:

“Është kënaqësi që ndodhem në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe pranë zotit Proda. Ndihem mirë për vlerësimet që janë bërë nga Federata Botërore, si për Giro d’Italia, ashtu edhe për xhiron e Shqipërisë. Një nga komisarët më të rëndësishëm të gjithë gjykimeve që ka bërë në Evropë dhe në Ballkan, më ka thënë dy fjalë në Vlorë që më janë ngulitur në kokë. Kur erdha, tha, për në Shqipëri, më kishin folur jashtëzakonisht, në kuptimin që ky shtet ka probleme, por në organizimin e Policisë së Shtetit është një nga policitë që mund të merren shembull në Ballkan dhe në Evropë. Më e rëndësishmja ishte që nuk pati asnjë rrëzim. Ky është një lloj sporti që ka shumë probleme, me rrezik, dhe u mbyll Giro d’Italia në mënyrë të shkëlqyer. Dhe erdhi qershia mbi tortë: xhiroja e Shqipërisë. Ndaj jemi këtu për të falënderuar Policinë, nga punonjësi më i thjeshtë deri te Drejtori i Përgjithshëm, zoti Proda. Kemi sjellë një kaskë të Giro d’Italia, të një prej çiklistëve të ekipit Movistar, në emër të Presidentit të UCI-së, si një dhuratë për Policinë Shqiptare.”

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda tha:

“Faleminderit, vlerësim i madh për Policinë e Shtetit. Jam i nderuar të kem sot në Drejtorinë e Policisë Presidentin e Federatës së Çiklizmit, zotin Anxhaku. E kam thënë edhe më parë: ta shikoje garën, ishte spektakolare, por të shërbeje për të marrë masat e sigurisë që gara të zhvillohej, ishte akoma edhe më spektakolare. Falënderoj për vlerësimin Federatën e Çiklizmit. Është një nder i veçantë dhe siguroj që Policia e Shtetit është e gatshme të ofrojë shërbime sigurie për çdo lloj aktiviteti sportiv në vend, jo vetëm për çiklizmin.”

Në përfundim të takimit, Anxhaku i ka dorëzuar zyrtarisht Drejtorit të Përgjithshëm kaskën e çiklistit të ekipit Movistar që mori pjesë në Giro d’Italia, si shenjë vlerësimi në emër të drejtuesve të UEC dhe UCI.