Policia e Shtetit rrit gatishmërinë për festat e fundvitit
Policia e Shtetit ka rritur gatishmërinë me rastin e festave të fundvitit. Masa shtesë janë marrë në pikat e kalimit kufitar, në akset rrugore si edhe në qendrat e banuara.
“Me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit, Krishtlindjeve, natës së ndërrimit të viteve dhe ditëve të para të vitit të ri 2024, Policia e Shtetit ka hartuar një plan te detajuar masash, për të siguruar mbarëvajtjen e festave dhe për të parandaluar ngjarjet kriminale dhe ato rrugore, pasi prej dy ditësh ka fluksit të madh në të gjitha pikat e kalimit kufitar, për të hyrë në Shqipëri. Masa shtesë janë ndërmarrë edhe për të parandaluar futjen në Shqipëri, të lëndëve piroteknike dhe përdorimin e kundërligjshëm të tyre”, njofton Policia e Shtetit.
Gjithashtu sqarohet se për të eliminuar radhët e gjata janë shtuar sportelet dhe burimet njerëzore në të gjitha pikat e kalimit kufitar.
Njoftimi:
Policia e Shtetit, gatishmëri të plotë për të garantuar rendin dhe sigurinë, me rastin e festave të fundvitit.
Masat shtesë, duke filluar nga pikat e kalimit kufitar, në kufirin e gjelbër, në akset rrugore dhe në qendrat e banuara.
Për garantimin e rendit dhe të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, të angazhuara Forcat e Sigurisë Kombëtare, drejtoritë vendore të Policisë dhe ato kufitare, Forcat e Posaçme Operacionale dhe Policia Kriminale.