Po transportonin emigrantë të paligjshëm, 1 i arrestuar në Shkodër, 2 lushnjarët në kërkim

Një 42-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia, pasi së bashku me dy bashkëpunëtorët e tij të cilët janë shpallur në kërkim, janë kapur duke transportuar drejt Malit të Zi, në mënyrë të paligjshme 16 shtetas të huaj.

Ata sapo kanë parë policinë janë larguar me automjetet e tyre me shpejtësi, por policia ka bërë të mundur ndalimin e tyre. Ndërkohë drejtuesi i automjetit të tretë, ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga kushtet e errësirës, ka mundur t’u shmanget shërbimeve.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet nga DVKM Shkodër dhe nga DVP Shkodër, operacioni policor i koduar “Rrjeta”.

Evidentohet dhe goditet veprimtaria kriminale e transportimit të 16 emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, veprimtari që kryhej përmes 3 automjeteve të ndryshme.

Vihet në pranga njëri nga autorët e dyshuar të këtij rasti.

Vijon puna për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve të tij që duke përfituar nga kushtet e errësirës, iu shmangën shërbimeve të Policisë.

Strukturat e DVKM Shkodër dhe ato të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Shkodër, të mbështetura nga inteligjenca informative, për raste të transportimit të shtetasve të huaj, kundrejt përfitimeve ekonomike, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rrjeta”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi D. S., 42 vjeç dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. Gj., 48 vjeç dhe R. S., 30 vjeç, të tre banues në Lushnjë

Në fshatin Vukpalaj, Kastrat, nga 3 automjete kanë zbritur 16 emigrantë të cilët po transportoheshin drejt Malit të Zi, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit drejt vendeve të BE-së. Sapo janë konstatuar nga shërbimet e Policisë, 2 nga automjetet janë larguar me shpejtësi dhe drejtuesi i automjetit të tretë, ka braktisur automjetin dhe duke përfituar nga kushtet e errësirës, ka mundur t’u shmanget shërbimeve.

Shërbimet e Policisë kanë organizuar menjëherë punën dhe në lagjen “Dobraç”, kanë bërë të mundur ndalimin e njërit prej automjeteve që transportonte emigrantë dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit D. S.

Vijon intensivisht puna, për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve A. Gj. dhe R. S.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.