Sipas informacioneve, plumbat e kanë kapur në mes e poshtë duke e goditur në arteriet femurale. Plumbi që e ka kapur në arterien femurale të kofshës së majtë, sipas mjekëve ka qenë fatal për jetën e tij.
Hetimet janë përqendruar në aktivitetin e viktimës brenda dhe jashtë vendit. Prej disa kohësh viktima ishte kthyer të jetonte në Katund Sukth, ku kishte nisur të ndërtonte dhe një lokal sipas banorëve të zonës. Nga hetimet nuk përjashtohet as shoku i tij që ndodhej në automjet dhe veprimtaria e tij.
Fatjon Dervishi 38-vjeçari u qëllua në zonën e shinave pranë fshatit Katund. Dyshohet se autorët e kanë ndjekur nga lokali ku po qëndronte, deri tek shinat, ku mjeti uli shpejtësinë dhe më pas hapën zjarr drejt 38-vjeçarit duke e plagosur rëndë. Më pas Dervishi humbi jetën në spital, ndërsa shoku i tij nuk mori lëndime.
Fatjon Dervishi është emër i njohur për policinë sepse ka qenë i skeduar për drogë dhe krime ndaj personit e pronës, por asnjëra prej këtyre nuk i është provuar. Ndërkohë vëllai i viktimës, Fatbardh Dervishi ndodhet në burg pasi ka qenë i përfshirë në një grup kriminal në Spanjë, ku është dënuar për pastrim parash.