Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 30”. Policia e Tiranës arrestoi Artur Sallakun, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane.
52 vjeçari rezulton pjesë e një grupi kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike, teksa ishte dënuar me 21 vite burg.
NJOFTIMI I POLICISË:
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në kuadër të projektit të quajtur “Të kërkuarit”, që synon kërkimin dhe kapjen e të shtetasve me rrezikshmëri, lokalizoi dhe arrestoi në Tiranë, pjesëtarin e një organizate kriminale për trafikim të lëndëve narkotike, të dënuar në Itali, me 21 vjet burgim.
Si rezultat i shkëmbimit të shpejtë të informacioneve, me homologët italianë, policinë e Casertës, Zyrën e Ekspertit për Sigurinë në Shqipëri dhe Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale dhe Shërbimit për Bashkëpunimin Ndërkombëtar te Policisë, për kapjen e një shtetasi shqiptar të kërkuar ndërkombëtarisht për llogari të Italisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Operacionalja 30”, u kap në Tiranë dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi Artur Sallaku, 52 vjeç, i lindur në Tiranë.
Giykata e Santa Maria Capua Vetere, në vitin 2004, e ka dënuar këtë shtetas, me 21 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me Interpol Romën, për ta ekstraduar këtë shtetas, në Itali.
Kapja e këtij shtetasi tregoi edhe njëherë bashkëpunimin e shkëlqyer mes Policisë së Shtetit, Policisë Italiane dhe Zyrës së Ekspertit për Sigurinë në Shqipëri për të luftuar bashkërisht krimin e organizuar dhe për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.