Pjesë e grupit të Ergys Dashit që u vra në Ekuador, kush është i riu që u vetëdorëzua dje në polici, një vit më parë u arrestua në Itali, mister arsyet e lirimit
Rako Plaku, i njohur ndryshe edhe si Ledi është 36-vjeçari shqiptar që u vetëdorëzua në komisariatin e policisë numër 2 në Tiranë.
Policia bëri me dije një ditë më parë, përmes një njoftimi zyrtar se 36-vjeçari ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane pasi akuzohej për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”. Në bashkëpunim me Interpol Tirana vijojnë procedurat për ekstradimin e tij,”.
Kush është Rako (Ledi) Plaku?
Plaku ishte pjesë e grupit të Ergys Dashit, të riut nga Durrësi që u ekzekutua në Ekuador në janar të vitit 2022, teksa konsumonte një darkë në Guayaquil. Ai u vu në pranga bashkë me 15 persona të tjerë në prill të vitit 2022, në kuadër të një operacioni që u organizua në vendin fqinj. Një prej anëtarëve, Stivi Filolli, u arrestua në Tiranë.
Por, nuk dihet se në cilat kushtet është liruar Plaku dhe arsyet që e shtynë të vetëdorëzohej një ditë më parë.
Njoftimi i policisë për dorëzimin e Plakut:
Më datë 24.04.2023, në Komisariatin e Policisë Nr. 2 është vetëdorëzuar shtetasi R.(L). P., 36 vjeç, banues në Yzberisht, Tiranë, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar ndaj tij, urdhër arrestin për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i narkotikëve”. Në bashkëpunim me Interpol Tirana vijojnë procedurat për ekstradimin e tij./Dosja.al