Përplasja e 3 të miturve në Tiranë, Replikë.al paralajmëroi rrezikun! Institucionet vijojnë në gjumë

Rreth orës 10:30, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, shtetasi E. K., rreth 41 vjeç, ka përplasur me automjetin që drejtonte, 2 monopatina me të cilat lëviznin 3 të mitur.

Si pasojë janë dëmtuar 3 të miturit, të cilët janë transportuar në spital, ku janë në kujdesin e mjekëve.

Shtetasi E. K. është shoqëruar në Komisariat, me qëllim kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Ndërkaq, një grup i posaçëm hetimor po punon në vendngjarje për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

Të miturit dyshohet se kanë kaluar me të kuqe në semafor ndërsa makina i përplasi në kryqëzim

Sipas burimeve nga vendngjarja, dy të mitur ndodheshin në një monopatinë elektrike, ndërsa një tjetër shok i tyre në një tjetër monopatinë. Ata po lëviznin në korsinë e biçikletave përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, pranë Piramidës. Ka dyshime se ata nuk kanë respektuar semaforin, duke kaluar në ngjyrë të kuqe për të përshkuar kryqëzimin në drejtim të ish-Hotel Dajtit.

Në këtë moment, një automjet i bardhë, që sapo kishte kaluar me jeshile nga semafori i unazës dhe po lëvizte drejt urës së ish-Bllokut, i ka përplasur në kryqëzim. Automjeti, që lëvizte në korsinë e dedikuar për mjetet e transportit publik, i mori për disa metra para se të ndalonte pranë lulishtes së “Tajvanit”.

Mjeti rezulton të jetë i rrjetit të supermarketeve “Pronatyra”, ndërsa drejtuesi i tij, E. K., është një nga shoferët e kompanisë. Administrator i firmës është shtetasi Jonald Agolli.

Replike.al kishte paralajmëruar rrezikun!

Vetëm 10 ditë më parë, portali Replike.al denoncoi publikisht përdorimin e skuterave elektrikë pa asnjë kriter në Tiranë, veçanërisht nga të miturit, të cilët lëvizin pa pajisje mbrojtëse dhe jashtë çdo kontrolli. Në artikullin e publikuar, theksohej mungesa e rregullave të zbatueshme dhe rreziku që paraqesin për sigurinë në rrugë.

Aksidenti i sotëm duket se e përforcon këtë shqetësim!


Skuterët elektrikë të kompanisë BinBin, që janë shpërndarë në të gjithë qytetin e Tiranës, duket se nuk zbatojnë asnjë prej kritereve bazë të sigurisë.

LEXO EDHE: —> SKANDALI/ Skuterat e BinBin karikohen në shtyllën elektrike në mes të Tiranës! Bashkia dhe OSHE flenë gjumë apo i tremben kompanisë?

Këto mjete me dy rrota përdoren lirshëm, pa kufizim moshe, pa skafandra mbrojtëse dhe pa asnjë lloj pajisjeje sigurie, një situatë që pa mëdyshje mund konsiderohet si “rrezik publik”.

Përdorimi i skuterëve mundësohet thjesht përmes një aplikacioni celular, pa asnjë verifikim moshe të përdoruesit. Kjo ka sjellë raste ku fëmijë dhe të mitur janë parë duke lëvizur me to në rrugë të mbushura me trafik, shpesh në trotuare apo në kundërshtim me rregullat e qarkullimit.

Në një vëzhgim që ka bërë Replikë.al asnjë përdoruesi nuk i ofrohet të përdorë helmetë, mbrojtëse për bërryla, gjunjë apo veshje reflektuese, ndonëse rreziku i aksidenteve në rrugët e ngarkuara të Tiranës është i madh. Në mungesë të ligjeve specifike për këtë kategori mjetesh, kompania BinBin nuk mban përgjegjësi për sigurinë e përdoruesve të saj.

 

Përveç mungesës së rregullave të përdorimit, nuk ekziston një sistem kontrolli teknik për skuterët, dhe nuk është e qartë nëse ata inspektohen rregullisht për defekte apo probleme teknike siç mund të jenë problemet me frenat. Kompania operon në hapësira publike, por pa një kuadër të detajuar ligjor që përcakton detyrimet e saj ndaj qytetarëve.

Si duket kjo kompani i di shkeljet që bën pasi në faqen e sajë zyrtare skuterat i reklamon me skafanda dhe kaska mbrojtëse, por në Shqipëri nuk zbaton një gjë të tillë. Duket se propaganda i shërben vetëm në rrjete sociale.

 

Përkundër rrezikut në rritje, as Bashkia e Tiranës, as Ministria e Infrastrukturës, dhe as Policia Rrugore nuk kanë ndërmarrë hapa për të rregulluar përdorimin e skuterëve elektrikë në rrugët e qytetit. Mungesa e reagimit institucional lë të kuptohet se operimi i kompanive si BinBin po zhvillohet me një “imunitet të heshtur”.

A do të duhet një aksident serioz për të zgjuar reagimin institucional?

Ndërkohë që qytetet moderne po i përqafojnë mjetet alternative të lëvizjes, standardet e sigurisë nuk mund të neglizhohen. Liria për të lëvizur nuk mund të vijë në kurriz të jetës dhe shëndetit publik. Në mungesë të rregullove, përdorimi i skuterëve të tillë mbetet një rrezik i hapur në rrugët e Tiranës.