Përdori telefonin e policit të burgjeve, SPAK merr nën hetim efektivët që transferuan Erion Veliajn
SPAK merr nën hetim policët e Burgjeve që transferuan Erion Veliajn nga Durrësi në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Apelit.
Kryebashkiaku i Tiranës rezulton se ka përdorur telefonin e një polici dhe ka bërë telefonata. Gjatë marrjes në pyetje, oficeri i Burgjeve e ka pranuar një gjë të tillë dhe ka thënë se e bëri nga frika. Gjatë seancës kryebashkiaku Veliaj ka kundërshtuar dosjen e SPAK, duke u shprehur se provat e reja janë “çimka dhe telefonatat e tij me djalin, si edhe familjen”.
Sipas të dhënave, mësohet se nga seanca në Apelin e GJKKO-së, Erion Veliaj ka pretenduar se SPAK ka përgjuar 1 muaj bisedat e tij familjare që sipas kryebashkiakut kanë të bëjnë intervistat në media.
“Ju nuk keni konsideruar prova të reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SPAK. Por keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen dhe interesimin tim për intervista në TV kryesore”, – mësohet se është shprehur Erion Veliaj.
Ai ka kërkuar seancë me dyer të hapura duke u shprehur se: “Unë jam ende kryetar bashkie në detyrë, i votuar nga çerek milioni njerëz. Unë i qëndroj çdo postimi që kam bërë në rrjetet sociale”.
Sipas SPAK, Veliaj dhe bashkëshortja e tij, Xoxa kanë vënë një funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe bërë të mundur në praktikë marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të kryebashkiakut dhe familjes së tij përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.
“Veliaj përmes veprimeve konkrete të cilat kanë kulmuar me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e fondeve publike si edhe lejet e ndërtimit tek disa subjekte tregtare, të lidhur ngushtë me të. Këto fonde publike më pas kanë përfunduar tek disa organizata jofitimprurëse, shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, persona fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa edhe individë të afërt me këtë të fundit, duke krijuar një rrjet të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh”, njofton Prokuroria.
SPAK ka mbledhur prova që krijojnë dyshimin mbi ekzistencën dhe funksionimin e një skeme korruptive nga zbërthimi i së cilës në përmbledhje rezulton se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e titullarit, kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e këtij të fundit (rrjedhimisht tek vetë Veliaj) dhe rrethi i saj familjar përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga ajo.
Gjithashtu kanë kaluar përmes sponsorizimeve, likuidimeve të faturave fiktive apo blerjeve, të bëra prej subjekteve tregtare, të cilët nga ana e tyre kanë përfituar leje ndërtimi apo fonde publike nga Bashkia Tiranë, tek OJF-të, shpk-të dhe personat fizikë të kontrolluar de jure dhe de facto nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë; si dhe kanë kaluar si pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme.
Po ashtu, janë shpenzuar për blerje me vlera të mëdha nga bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, duke i kamufluar këto blerje përmes personave të tjerë. Çdo transferim i këtyre fondeve publike dhe lëshimi i lejeve të ndërtimit është kryer me miratimin e kryebashkiakut Veliaj.