Pogradec/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Pogradec, operacioni policor i koduar “Ndërhyrja”. Ndërhyrja në kohë nga shërbimet e Policisë, parandalon një ngjarje të mundshme kriminale kundër personit.
Falë informacionit të marrë në kohë dhe ndërhyrjes profesionale, vihet në pranga 49-vjeçari që u kap në qytet, me armë zjarri pistoletë, me fishek në fole, gati për qitje.49-vjeçari, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Sekuestrohen arma e zjarrit, municion luftarak, një shkop bejsbolli, sasi parash në valuta të ndryshme, një automjet, një palë dylbi dhe një aparat celular.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vazhdën e operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e rasteve të mbajtjes së armëve, pa lejet përkatëse, bazuar dhe në inteligjencën informative për një shtetas që qarkullonte i armatosur, në Pogradec, kanë organizuar punën për kapjen e tij. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Ndërhyrja” u arrestua në flagrancë shtetasi:
– 49 vjeçari, banues në Pogradec, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
Gjatë operacionit, në lagjen nr. 1, Pogradec, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar 49-vjeçarin dhe gjatë kontrollit të ushtruar në çantën e tij, kanë gjetur një armë zjarri tip pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve procedurale, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin dhe në banesën e këtij shtetasi, u gjetën sasi parash në valuta të ndryshme, një shkop bejsbolli, një palë dylbi dhe një aparat celular.
Për shkak të sekretit hetimor, duke qenë se ngjarja është në hetim, nuk jepen detaje të tjera në lidhje me motivet dhe objektivin e synuar nga i arrestuari. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.