Operacioni ‘Tempulli’, hera e parë që kapet kokainë 93% e pastër! Lihen në burg dhjetëra persona në Fier, Vlorë, Korçë e Durrës, lirohen disa të tjerë
Aksioni Tempull me arrestimin e 233 personave në mbarë vendin për shpërndarje drogash pranë shkollave dhe lokaleve të frekuentuara nga të rinjtë, u shoqërua me sekuestrimin e një sasie kokaine në Tiranë me nivel pastërtie 93 për qind.
Sipas prokurorisë, kjo është hera e parë që kjo cilësi droge kapet në Tiranë ndërkohë që në tregun kriminal përllogaritet si tepër e kushtueshme.
Mësohet nga prokuroria se kokaina është sekuestruar gjatë arrestimit të njërit prej personave që ishte kthyer së fundi nga Kanadaja në Shqipëri.
Ndërkaq, gjykata e Vlorës liroi pesë nga 18 personat e radhës të arrestuar nga aksioni Tempull. Konkretisht vetë prokuroria kërkoi lirimin për Ariselda Delibashin dhe Eriselda Zekën ndërsa për shkak të moshës u lanë në arrest shtëpie Shkëlqim Baka, Fatmir Alikaj e Julian Shabani.
‘Njëra është më fëmijë 6 muajsh dhe për atë erdhi vetë prokuroria për arreste me shtëpi. Gjykata ndryshoi masën për 3 persona të cilët u zgjodhën jo vetëm për faktin penal por edhe për moshën, ishin 63 dhe tjetri 57 vjeç duke i lënë ‘arrest shtëpie’ derisa sa të qartësohet situata.’– tha avokati.
Avokati bëri të ditur se pjesa më e madhe e të arrestuarve përfunduan në qeli për shkak të përgjimeve të cilat duhet të sqarohen.
Janë biseda telefonike të cilat varet nga interpretimi që u bën. Gjykata ashtu e vlerësoi. S’ka grup të strukturuar kriminal. Sasitë që janë kapur varionin nga një dozë përdorimi që vet ligji i përjashton. Nuk e pranuan e pranojnë që janë përdorues dhe marrin për përdorim vetjak.- u shpreh avokati.
Edhe gjykata e Korçës, të dielën zhvilloi seancën për masat e sigurisë për 16 persona nga 26 të arrestuarit e aksionit Tempull në këtë qytet, të cilët u lanë në burg. Ata kanë deklaruar se janë përdorues të lëndëve narkotike, por kjo gjë nuk është konsideruar si argument nga akuza.
Në Durrës, 30 personat e arrestuar nga aksioni Tempull dolën para gjykatës për masat e sigurisë, ku edhe në këtë qytet mes të akuzuarve kishte persona si Engjellushe Prillo, 64 vjeçe. Për 26 persona, gjykata ka rikonfirmuar masën e sigurisë arrest në burg, dy “detyrim paraqitje” dhe dy “arrest shtëpie”.
Seancat e masave të sigurisë për të arrestuarit e aksionit kombëtar u zhvilluan të dielën edhe në gjykatën e Fierit për katër persona. Ndërkohë në gjykatën e Elbasanit, seancat për masat e sigurisë zhvillohen të hënën, ku prokuroria ka kërkuar arrest me burg.
Megaoperacioni u ndërmor në disa qytete kryesore më 14 shtator 2023, duke çuar në pranga 233 persona që merreshin me shpërndarjen e drogave në afërsi të shkollave apo godinave banimi. 23 grupe kriminale u shkatërruan në megaoperacioni i zhvilluar në 5 qarqe të ndryshme të vendit, Tiranë, Durrës, Korçë, Vlorë dhe Elbasan.
*Lajmi në përditësim…