Operacioni anti-drogë “Three stars”/ Një nga të arrestuarit, djali i ish-nënkryetares së Bashkisë së Shijakut që dha dorëheqjen

Policia e Tiranës ka bërë të mundur arrestimin e tre të rinjve që shpërndanin një sasi të konsiderueshme droge në zona të ndryshme të Tiranës, Andrea Dema 24 vjeç ,Genis Mustafa, 27 vjeç dhe Robert Domi 30 vjeç. Mësohet se ky i fundi,t është djali i ish-nënkryetares së Bashkisë së Shijakut, Shpresa Domi, që dha dorëheqjen më 28 gusht dhe tashmë është pedagoge.

Ndërkohë bëhet me dije  se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndën narkotike nga Shijaku dhe më pas e shpërndanin, në rrugën “Myslym Shyri”, në Rrugën e Durrësit dhe në zonën e 21-Dhjetorit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kg e 52 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 4 aparate celulare, 1400 euro dhe 78 900 lekë.

Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.