Njihuni me shqiptarin Alban Dervishi, komandon një prej luftanijeve më të rëndësishme amerikane
Alban Dervishi tashmë edhe zyrtarisht ka marrë komandën e anijes amfibe amerikane “USS Pearl Harbor”. Një shqiptar tashmë udhëheq një nga anijet më të fuqishme të ushtrisë së SHBA-së, armatës më të fuqishme në botë.
Ambasada amerikane në Tiranë ka uruar Dervishin për këtë arritje.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon Alban Dervishin për rolin e tij të ri si Komandant i USS Pearl Harbor! Ceremonia zyrtare e ndërrimit të komandës u zhvillua në San Diego javën e kaluar. Përjetoni këtë moment historik të rëndësishëm në karrierën e tij”, ka shkruar Ambasada.
Kujtojmë se karriera e Dervishit në marinën amerikane nisi qysh në moshën 18 vjeçare. Ai ka lindur në Tiranë dhe rrjedh nga një familje ushtarake, e cila 25 vite më parë zgjodhi të emigrojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të jetuar pikërisht ëndrrën amerikane. Sot, djali i familjes Dervishi është Komandant i luftëanijes amerikane.
“Gjatë karrierës sime kam qenë në 7 anije të ndryshme ushtarake dhe kam lundruar në çdo det të ndryshëm të botës, duke përfshirë operacionet më kritike si lufta në Afganistan, Irak dhe operacione të tjera. Ka një theks të caktuar atje dhe gjithmonë më pyesin nga vij dhe unë e them me shumë krenari se jam shqiptar”, tha Alban Dervishi në videon e publikuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë.
Misioni i “USS Pearl Harbor” është të transportojë dhe lëshojë mjete amfibe, automjete, ekuipazhe dhe personel të hipur në anije në një sulm amfib. Një LSD gjithashtu mund të ofrojë shërbim të kufizuar ankorimi dhe riparimi për anije dhe mjete të vogla, dhe të veprojë si Anija Kryesore e Kontrollit (PCS) gjatë sulmeve amfibe.