Nis aksioni i policisë për makinat që parkojnë gabim dhe bllokojnë trafikun

Në kryqëzime, në vende të ndaluara për qëndrim apo dhe në stacione urbanësh. Shoferë të papërgjegjshëm janë përballur me aksionin e policisë të nisur menjëherë pas paralajmërimit që ministri i Brendshëm Taulant Balla bëri një ditë më parë për bllokimin e rrugëve dhe trafikut nga automjete të parkuara gabim.

Për mjetet që kanë parkuar gabimisht pavarësisht tabelave dhe sinjalistikës së qartë, Policia Rrugore ka vepruar menjëherë duke marrë masa për largimin e tyre.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla deklaroi dje se “ne duam mirëkuptimin e drejtueseve dhe drejtuesve të mjeteve, se makina juaj e parkuar gabim është një problem shumë i madh për të tjerët, të cilëve u ke zënë rrugën, po ashtu dhe një karshillëk i madh ndaj Kodit Rrugor”.

 

 

“Policia e Shtetit nuk do ta tolerojë asnjë çast këtë shkelje masive dhe këtë karshillëk. Brenda pak ditësh çdo mjet i parkuar gabim do të largohet nga vendqëndrimi i gabuar me makineri të specializuar të kontraktuar nga Policia Rrugore dhe do të bllokohet”, deklaroi ministri.