Nga student Dhjetori, në kryetar bashkie, i lidhur me bandat kriminale e deri tek pallati 11 katësh ‘mollë sherri’/ Ky është Vangjush Dako

Nga Aida TOPALLI

Pesëmbëdhjetë qytetarë, shumica prej të cilëve banorë të një pallati 11 katësh në zonën e stadiumit ‘Niko Dovana’ në Durrës, ishin iniciatorët e një kallëzimi të bërë në Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ( SPAK).

Kallëzim në të cilin akuzoheshin drejtpërdrejt ish kreu i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, kryetarja aktuale Emirjona Sako dhe 9 shtetas të tjerë, ish-zyrtarë të bashkisë së qytetit bregdetar.

Në kallëzim, shkruhet e zeza mbi të bardhë një motivacion tejet prekës, që lidhet pikërisht me tërmetin e 26 nëntorit 2019 që tronditi Shqipërinë e sidomos Durrësin me rrethinat e tij.

 Objekti i kallëzimit është konkretisht ky:

‘Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, ‘mbetur në tentativë’, ‘Tortura’, ‘Shpërdorim i detyrës’, ‘Falsifikim të formularëve’, ‘Ndërtim i paligjshëm’, ‘Dhënia ndihmë për ndërtim të paligjshëm’, … ‘ Grup i strukturuar kriminal’, ‘Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar’

Ky kallëzim depozituar në zyrat e Prokurorisë së Posaçme mban datën 15 shtator 2020.  Institucionit ju desh afro 3 vjet për të dalë në përfundimin se Vangjush Dako dhe ish-vartësit e tij, duhet të arrestohen.

Kush është Vangjush Dako?

Veprimtar i Lëvizjes Studentore dhe student i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Vangjush Dako e ushtroi pak vite profesionin e tij. Për rreth një dekadë, pak vite pas përfundimit të studimeve, ai ju përkushtua biznesit privat. Një vit, drejtoi shërbimin e policisë së ndërtimit në Durrës. Në vitet 2004-2005 drejtoi Hipotekën e Durrësit ( Institucion i njohur për një sërë problematikash, jo vetëm në këtë qytet por  edhe në rang kombëtar).  Pa kaluar shumë kohë ai u angazhua seriozisht në strukturat e Partisë Socialiste të qytetit bregdetar, duke u kandiduar dhe zgjedhur kryetar i Bashkisë në zgjedhjet e vitit 2006. Mandat të cilin e mbajti për 13 vjet. Emri i tij është lakuar më shumë si i përfshirë në afera, sesa për shërbim ndaj qytetarëve të Durrësit. I etiketuar si personazh i vënë në krye të Bashkisë nga bandat, një epitet i tillë, nuk do ta pengonte atë aspak që të mbante drejtimin e qytetit për mëse një dekadë me radhë.  Emri i Vangjush Dakos do të lakohej në media dhe në zyrat e institucioneve të zbatimit të ligjit, për përgjimet e dosjes 339 dhe 184.  Në përgjimet e asaj kohe, Dako komunikon me drejtuesin e bandës së Avdylajve në Shijak, Astrit Avdylaj.

Përgjimet me Astrit Avdylajn:

Përgjimi 5

Astrit Avdylaj, kreu i klanit kriminal ‘Avdylaj’ në Shijak telefonon Gjushin (Vangjush Dako, kryebashkiak i Durrësit). Në atë moment, Astrit Avdylaj është në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Durrës, në praninë e drejtorit të zyrës dhe Vath Allës, një ish-i dënuar për vrasje për të “mbaruar” një punë për llogari të Allës. Në këtë telefonatë mes Avdylajt dhe kryebashkiakut Dako, është e qartë lidhja e ngushtë mes tyre. Astrit Avdylaj e di që kryebashkiaku Dako ishte deri vonë një natë më parë me kryeministrin Edi Rama. Ai më pas i thotë Dakos që të anulojë planet e tij për të udhëtuar në Ishëm, për të siguruar që ‘puna’ që Alla po kërkon, të përfundohet tek zyra e hipotekës nga drejtori që telefonon Anin dhe më pas Dakon për t’u takuar me të dhe më të dënuarin për vrasje, Vath Alla. Kryebashkiaku Dako pranon dhe ndryshon ”, sqaron BILD në shkrimin e saj në video.

Astrit Avdylaj: A t’ka zonë gjumi mrom o vlla se ke taku Ramën dje keni nejt jeni knaq

Vangjush Dako: Hehehe, ça bone?

Avdylaj:Ça bohet?

Dako: Mirë, mirë.

Avdylaj:Ka je vllai?

Dako: Dëgjo…

Avdylaj: Hë vlla.

Dako: Thuji byrazerit unë po iki tani për në Ishëm, te ata çunat atje lart.

Avdylaj: Jo vlla tashi, se do ta lem içik më vonë se jam ktu me çunat unë.

Dako: Ku je ti?

Avdylaj: Te hipoteka tu prit Anin… do vij të të takoj ty drejtori, apo?

Dako: Janë ata Allat, janë aty?

Astrit Avdylaj: Po Vath Alla është këtu me mu drejtëpërdrejtë, e kam këtu live, përballë në tavolinë, po na dëgjon tashti.

Vangjush Dako: Epo mirë takohemi në Durrës atëherë.

Astrit Avdylaj: Jo do takohemi atje, e kemi lënë orarin atje vëllai, mbaroi. Do takohemi atje nga dreka se s’bën. Le të mbarojmë një çik punë me Anin këtu, po presim Anin, sa të shkojë te bashkia tha ai. Po e pret vëllai këtu te hipoteka.

Vangjush Dako: Mirë, mirë Astrit Avdylaj: Hajde të du fort vllai…

Moskandidimi në zgjedhjet e 2019, lëshim nga Rama

Kjo do të ishte edhe pikënisja e rënies së një njeriu që kryeministri Rama, njëherësh kreu i Partisë Socialiste e kishte promovuar shumë.  Në vitin 2019, në zgjedhjet për kryetar bashkie ( zgjedhje të cilat u bojkotuan nga opozita), Rama nuk e kandidoi më Dakon, por e përfaqësoi dhe e fitoi Durrësin me figurën e një gruaje, kandidates aktuale, Emirjona Sako.   Lëshimi i dorës nga kreu i qeverisë, duket se qe edhe një rrugëtim drejt ‘greminës’ për Vangjush Dakon. Rrugëtim i cili nuk zgjati shumë kohë.

Arrestimi dhe shoqërimi i Dakos është nisur të kryhet disa herë

I përfshirë në afera të rënda korruptive, që thyejnë dhe fyejnë itegritetin e një kryetari bashkie, por edhe besimin e qytetarëve për të qenë përfqësuesi i tyre, Vangjush Dako u etiketua përfundimisht si një ish zyrtar që do të përballej me ligjin herët a vonë.  Janë jo të pakëta rastet e zërave se grupe të posaçme të nisura nga Drejtoria e Përgjithme e Policisë së Shtetit, ‘me urdhër nga lart’, janë kthyer nga rruga, duke mos i lënë që të dërgojnë deri në fund misionin e tyre, qoftë edhe marrjen në pyetje t ëish-kreut të Bashkisë Durrës.  Megjithatë ‘drejtësisë nuk i shpëton dot kurrë’. Herët ose vonë, nëse je përgjegjës për veprimet që ke bërë, do të hetohesh, e ndoshta edhe arrestohesh.

Hetimet për Dakon:

Me një hetim tejet diskret, të zgjatur  ndër vite, vetëm ditën e sotme, ish-zyrtari i lartë i Durrësit u prangos. Një arrestim që në fakt, u bë pikëpyetja e një jave me radhë. Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nuk konfirmoi në asnjë moment zërat se Dako ishte marrë në pyetje që prej ditës së premte, që ishte ushtruar një kontroll në banesën e tij, apo që ishte nën sitën e Prokurorisë së Posaçme për të qenë i godituri i radhës.  Megjithatë, tashmë jemi përballë faktit. Vangjush Dako është në pranga dhe tog me të shuhen edhe zërat e vërtetësisë apo jovërtetësisë së përfshirjes së tij në afera të rënda, në dëm të popullit të Durrësit.

Ngërçi i krijuar mes SPAK dhe GJKKO për arrestimin e Dakos:

Prokurori në përfundim të hetimeve për kallëzimin e bërë kundër Vangjush Dakos dhe ish vartësve të tij kërkoi nga Gjykata e Shkallës së Parë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, lëshimin e menjëhershëm të urdhër arresteve. Kërkësë e cila u rrëzua. Vendimi do të ankimohej në Gjykatën e Apelit kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila vlerësoi si të ligjshme kërkesën e Prokurorisë. Vetëm një ditë më parë, po i njëjti prokuror do të kërkonte lëshimin e urdhër arretstit për Vangjush Dakon, për një tjetër vepër penale, që presupozohet të jetë kryer nga ana e tij.  Ishte kjo një nga arsyet e vonesës së ekzekutimit të vendimeve të marra nga SPAK.

E plotë çfarë ndodhi më 6 qershor 2023:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar 10 urdhër arreste të cilat janë firmosur nga gjyqtari i GJKKO Erjon Bani. Për 7 prej tyre është firmosur masa e sigurisë ‘arrest me burg”, ndërsa për 3 prej tyre, që janë gra, është dhënë masa e sigurisë ‘arrest shtëpie”.

Janë firmosur urdhërarrestet për: 

Vangjush Dako, ish kryebashkiaku
Adlei Likmeta, arkitekt i bashkisë
Roza Kovaçi
Edlira Kertusha, juriste tek Urbanistika
Adnand Tocila
Adhurim Qehajaj ish drejtori i Urbanistikës
Fiqiri Farruku, ndërtuesi i pallatit.

Hetimi nisi një vit më parë

Hetimi për shkeljet ka nisur rreth 1 vit më parë dhe Vangjush Dako është thirrur në SPAK në mars 2023 lidhur me këtë  dosje. Ndërsa ditët e fundit janë marrë në pyetje edhe zyrtarë dhe ish zyrtarë të bashkisë së Durrësit.

Ndaj tyre rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion. Gjatë ditës së sotme, SPAK ka ekzekutuar urdhër arrestin për Vangjush Dakon dhe një ish zyrtar tjetër ndërkohë operacioni është ende në vijim, për ekzekutimin e urdhër arresteve të tjera.

Në korrik të 2019 Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli non grata Vangjush Dakon. Gjithashtu DASH i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe anëtarëve të familjes së tij. Dako ka drejtuar bashkinë e Durrësit në vitet 2007-2019.