Një raport rekord nga blutë në rang vendi. Policia e Shtetit ka arrestuar 8 persona për vepra të ndryshme penale. Në Lezhë u arrestua Antonio Leka, duke parandaluar kështu një vrasje të mundshme. Në Kamëz u arrestua Naim Maloku, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për ‘trafik narkotikësh’. Në Elbasan u prangos një tjetër ‘hajdut’ që bënte kërdinë në dyqanet e këtij qyteti. Ndërkohë nuk kanë munguar edhe arrestimet e poseduesve dhe shpërndarësve të lëndëve narkotike.
Në po të njëjtat operacione janë shpallur në kërkim 3 shtetas, dhe po hetohen në gjendje të lirë dy të tjerë.
Bashkangjitur njoftimet e policisë për të gjitha rastet:
Vijon operacioni policor i koduar “Ëndrra e keqe”, për goditjen e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Operacioni i nisur në vitin 2014, i zhvilluar mes Policisë shqiptare dhe Policisë greke. Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, i cili është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, për trafikim lëndësh narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar dhe në inteligjencën informative për vendodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit policor të koduar “Ëndrra e keqe”, kanë kapur dhe ndaluar, në lagjen “Argjinatura”, Kamëz, shtetasin Naim Maloku, 55 vjeç, banues në Kamëz.
Ky shtetas është dënuar me 6 vjet e 8 muaj burgim, nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
DVP Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Mix”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare.
Tregtonin produkte të kontrabanduara në vendin tonë, vihet në pranga 1 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër. Sekuestrohen produkte të ndryshme që dyshohet se kanë në përbërje lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative për një shtetas që tregtonte produkte me përbërje kanabisi, të dyshuara të kontrabanduara në vendin tonë, menjëherë kanë organizuar operacionin policor të koduar “Mix”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Elbasan/Zbardhen 4 raste të vjedhjeve, identifikohet dhe vihet në pranga autori i dyshuar, i dënuar më parë për vjedhje.
Sekuestrohet një mjet (kaçavidë) që i arrestuari dyshohet se e ka përdoruar për të realizuar vjedhjet. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas marrjes së kallëzimit nga administratori i një dyqani, për vjedhjen e disa produkteve në dyqanin e tij, kanë organizuar punën për zbardhjen e vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Në vijim të veprimeve hetimore, në kuadër të operacionit “Përsëritësi”, bazuar dhe në inteligjencën informative, u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”, i shtetasit:
E. S., 30 vjeç, banues në Elbasan, i dënuar më parë për vjedhje.
DVP Elbasan/Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrugica”, për goditjen e aktivitetit kriminal të shpërndarjes së lëndëve narkotike. U kapën në flagrancë me 83 doza kanabisi, gati për shitje, vihen në pranga 2 shtetas.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale, të DVP Elbasan, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rrugica”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit:
S. H., 22 vjeç dhe G. P., 23 vjeç, banues në Elbasan.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Stacioni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave në doza.
U kap në flagrancë duke shitur një sasi lënde narkotike kanabis, të ndarë në doza, vihet në pranga 31-vjeçari, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.
Në hetim një 43-vjeçar, pasi u kap duke blerë doza të lëndës narkotike kanabis.
Sekuestrohen 150 doza lënde narkotike kanabis, një peshore elektronike dhe një shumë parash, e përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Fier, të mbështetura nga inteligjenca informative për një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza, në Patos, kanë iniciuar një hetim njëjavor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier, dhe si rezultat i provave të sigurura, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Stacioni”.
Në kuadër të këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit F. Xh., 31 vjeç, banues në Patos, i dënuar më parë po për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. K., 43 vjeç, banues në Patos.
Shërbimet e Policisë, të mbështetura nga inteligjenca informative, kanë lokalizuar shtetasin F. Xh. dhe e kanë kapur atë në flagrancë duke i shitur doza lënde narkotike kanabis, shtetasit B. K. Në vijim të veprimeve për këtë rast, shërbimet e Policisë gjetën në banesën e 31-vjeçarit, dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 150 doza lënde të dyshuar narkotike kanabis, një peshore elektronike që shërbente për ndarjen e lëndës narkotike në doza, një sasi metadoni të lëngshëm, një shumë parash e përfituar nga shitja e lëndës narkotike dhe një aparat celulare.