“Në lokal me të atin”/ Dalin detajet e para nga vrasja e Arjan Gosës

Viktima e atentatit të sotëm në Kavajë, Arjan Gosa, ishte me të atin duke konsumuar kafe në momentin që u vra. Një person ende i paidentifikuar, ka hyrë në lokal dhe e ka qëlluar me një plumb në kokë. Më pas ai është larguar me vrap në këmbë. Policia po bën krehjen e zonës dhe kqyrjen e pamjeve filmike për identifikimin dhe kapje e autorit.

Njoftimi i policisë

Kavajë/Informacion paraprak

Më datë 21.05.2023, rreth orës 18.30, në lagjen Nr. 1, në Kavajë, në një lokal, një person ende i paidentifikuar ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin A. G.

 

Shërbimet e Policisë pas marrjes së njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe vijon veprimet hetimore për sekuestrimin e provave me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit.

Paraprakisht nga të dhënat e grumbulluara dyshohet se ngjarja ka ndodhur për motive hakmarrje.